Një njeri i dëshpëruar dhe një gjeni, një i papërshtatshëm dhe një poet, një kumarxhi, një alkoolist, një i detyruar, dikush që ka qenë në ferr, por me një biletë kthimi në xhep: e gjithë kjo dhe shumë më tepër ishte Çarls Bukovski.
Shkrimtari amerikan, një nga personazhet më të çuditshëm dhe më të çmendur të letërsisë së shekullit të kaluar, aq i dashur nga publiku, njëherazi po aq i shpërfillur nga kritika, gjatë jetës së tij botoi mbi 60 libra. Një autor që përjetoi sikletin dhe distancën mes tij dhe shoqërisë së kohës, midis vlerave të tij dhe atyre të përbashkëta, në të cilat nuk njihte dhe nuk donte ta njihte veten.
Mizogjen, homofob, pervers, i alkoolizuar: këto janë disa nga atributet që zakonisht lidhen me emrin e shkrimtarit dhe poetit Çarls Bukovski (1920-1994). Ai kishte gjithmonë mace në shtëpi, ky është një fakt i njohur, në një moment ishin edhe nëntë të tilla, që enden mes drafteve të romaneve dhe barkut të tij. “Endacakët vazhdojnë të vijnë dhe ne nuk kemi dëshirë t’i largojmë”, – i shkroi në një letër Louis Webb, për veten dhe të shoqen Linda Lee.
Bukovski jetonte atje me macet dhe shkruante pranë tyre, ose mes këmbëve, ose në tastierë, në netët e tij të shumta alkoolike. Stili i tij është i pagabueshëm, fjalë therëse që nuk i lënë shumë vend imagjinatës dhe nxjerrin në pah gjithë vuajtjet dhe pakënaqësinë për njerëzimin dhe jetën në përgjithësi. Ai rrëfeu varfërinë dhe fëmijërinë e tij të vështirë, po edhe atë të miqve, mes baballarëve që mungonin dhe shpeshherë të dhunshëm. Mandej, depresioni dhe shkëputja nga realiteti. Ishte profan dhe revolucionar. Një njeri që ndihej gjithmonë ndryshe nga pjesa tjetër e botës, nga ata, siç i pëlqente të përcaktonte “të gjithë të tjerët” në veprat e tij.
Shkrimi bukovskian karakterizohet nga një hidhërim i vazhdueshëm për shkak të gabimeve të vuajtura nga njerëzit dhe njerëzimi, i shpejtë dhe i thjeshtë, por therës dhe i egër, me anë të të cilit tregon një jetë plot disfata, dështime dhe shthurje. E megjithatë vuajtja, vetmia dhe, më pas, marrëdhënia me alkoolin, një marrëdhënie (mjerisht) dashurie. I përhumbur nga ideja e braktisjes, ai jetoi si një poet i mallkuar. Një burrë i pakënaqur, i punësuar në postë, i cili në pragun e të 50-ve merr një telefonatë nga shtëpia botuese “Black Sparrow”: që nga ai moment ai shkruan për të jetuar derisa të vdesë.
Ndoshta për disa fate nuk ka shpëtim. As për njeriun, që nuk do ta kishte menduar kurrë të bëhej legjendë letrare. Dhe tani kushedi nëse po ngre dolli për budallallëkun tonë, apo na mallkon për këtë fanatizëm që i është krijuar. Megjithatë, për ata që e duan letërsinë, është e pamundur të mos pajtohen me të.