“Biblioteka e Babelit”

Në Ditën Botërore të Librit citojmë historinë ikonë të Borgesit “Biblioteka e Babelit”, në të cilën përshkruhet një “bibliovers” i paaanë. Një tekst metafizik shndërruar në nderim për fuqinë e librave dhe, mbi të gjitha, të lexuesve. Një fuqi që vazhdon edhe në epokën digjitale. Biblioteka e Borgesit konsiderohet një enigmë e vërtetë, si nga pikëpamja letrare, ashtu edhe nga pikëpamja hapësinore-gjeometrike. Duke përdorur stilin abstrakt të fjalëve, Borges e shndërron një vend në gjuhë dhe gjuhën në vend, duke analizuar në mënyrë efektive fuqinë dobiprurëse dhe jodobipurëse të librit. “Biblioteka e Babelit” është njëlloj biblioverse e përbërë nga dhoma gjashtëkëndore dhe duket se ka karakteristika mjaft të veçanta: para së gjithash ajo ekziston ab aeterno dhe më pas është potencialisht “e paanë” si vetë universi. Sipas idealistëve, biblioteka ka formën e “hapësirës absolute”. Shumë shpejt kuptojmë se vendi i librave të teorizuar nga J. L. Borges ka fizionominë komplekse të botës dhe njeriu shfaqet në qendër si një “bibliotekar i papërsosur”, i paaftë për të njohur dhe kuptuar plotësisht përmbajtjen e saj.

“Biblioteka është një sferë, qendra e saktë e së cilës është çdo gjashtëkëndësh me perimetër të paarritshëm”. Pra, Biblioteka e Babelit mbetet një mister që as Borges nuk pretendon ta zbulojë. Njohuria njerëzore, vetëkuptohet, do të jetë gjithmonë e papërsosur, e papërfunduar, e paplotë. Shkronjat e alfabetit janë vetëm njëzetepesë, megjithatë kombinimet janë të pafundme: hamendësimi i vërtetë është natyra pa formë dhe kaotike e pothuajse të gjithë librave. Protagonisti “gdhend” me një dorë që dridhet, duke ndier distancën që ekziston midis “hyjnores dhe njerëzores”, domethënë midis përsosmërisë absolute dhe të përjetshme të një universi të organizuar dhe krijesave të tij të papërkryera dhe të vdekshme. “Njerëzit kërkuan kuptimin në libra, por gjetën kaos atje… Biblioteka e ethshme, vëllimet e rastësishme të së cilës rrezikojnë pandërprerë të shndërrohen në të tjerë dhe pohojnë, mohojnë dhe ngatërrojnë gjithçka si një hyjni në delir”.

Borges realizoi mrekullinë e tij metafizike: duke  e shndërruar gjuhën në vend, duke futur në një libër pafundësinë e universit dhe padeshifrueshmërinë e tij kaotike. “Biblioteka e Babelit” nuk resht së foluri me të tashmen, sepse ajo na tregon botën ashtu siç është dhe siç do të jetë gjithmonë: një univers i padepërtueshëm që ka ekzistuar gjithmonë dhe do të vazhdojnë të ekzistojë edhe pas nesh. Siç shprehet Borges, për të perceptuar distancën që ekziston midis hyjnores dhe njerëzores, mjafton të krahasojmë shkronjat e përsosura brenda vëllimeve me shenjat që dridhen në kopertinë: emra të papërshtatshëm, për më tepër të sajuar nga duar të ngathëta. Sado që të përpiqeni, nuk do të jeni kurrë në gjendje të arrini një rregull absolut, sado që të kërkoni nuk do të gjeni asnjëherë një libër identik me një tjetër, do të jetë përherë një shkronjë ndryshe, një nuancë mospërputhëse, njëlloj si gjethet e së njëjtës pemë, njëlloj si krahët e pilivesave. Për më tepër, siç do të shprehej dikush për një gur apo një re (por edhe për një person): “librat në vetvete nuk nënkuptojnë asgjë”.