A do ta shpëtojë botën bukuria, siç mendonte Dostojevski, apo bota është e pashpëtueshme?
Mbi të gjitha, a ekziston bukuria si një fakt objektiv përtej nesh? A ka të paktën një bukuri objektive antropologjike? Nuk duket, thjesht të lexojmë pak histori, minimumin e historisë së artit, ndoshta për të bërë një shëtitje në antropologji, vetëm sa për të vërejtur se perceptimi i asaj që është e bukur ndryshon me trivalentin: racë, mjedis, moment.
E megjithatë, cila pjesë themelore e jetës sonë kushtëzohet nga bukuria? Këto janë pyetjet që rreket t’u japë përgjigje “Vdekje në Venecie”, një nga veprat themelore të romancierit të madh gjerman Tomas Man, botuar për herë të parë në vitin 1912. “Dashuri dhe vdekje, pranimi i fatit, pashmangshmëria e kohës që fluturon dhe, mbi të gjitha, një shtresim i hollë kritik i dokeve dhe zakoneve të një klase borgjeze, e cila nuk është vetëm një mjedis shoqëror, por edhe një filtër perceptimi dhe një qasje ndaj realitetit – të gjitha këto janë tema të pranishme në romanin e shkurtër, por në thelb “Vdekje në Venecie” është një odë për bukurinë. Në të vërtetë, zanafilla e veprës e sheh çiftin Man me pushime në Venecia në vitin 1911, kurse shkrimtarin të goditur nga bukuria e një djaloshi trembëdhjetëvjeçar polak, për të cilin e gjente shpesh veten duke menduar, pa ia fshehur të shoqes.
Pra, “Vdekje në Venecie” ka një bazë të fortë reale, si takimi i pa materializuar në një ndjekje të vazhdueshme në rrugët veneciane, ashtu edhe për sa i përket emrave të zgjedhur për protagonistët: Gustav fon Ashenbahu na sjell ndërmend poetin homoseksual August fon Platen, lindur në Ansbach.
Tema e homoseksualitetit, deri në një pikë latente: protagonisti Gustav paraqitet edhe si artist në krizë, i cili goditet nga bukuria e Taxios edhe për të kompensuar krizën e tij ekzistenciale, por tensioni homoerotik është më shumë se themelor.
Nga ana tjetër, Man shprehimisht flet për një Gustav, që “kureshtohet” me fëmijën, bukurinë dionisiane, idealin platonik, sindromën Stendal përballë kaq shumë përsosmërie trupore.