Luis de Leon, lindur në Belmonte të Spanjës (rreth 1527-1528), në një familje hebrenjsh të
konvertuar në krishterim, përfaqëson pikëbashkimin midis kulturës biblike dhe klasike, midis
Athinës dhe Jerusalemit. Një njeri mendjemprehtë, këmbëngulës dhe me një inteligjencë të
hekurt, ai parapëlqeu durimin sesa revoltën, provën e bardhë ndaj teprimeve të
abiseve. Përktheu me mjeshtëri të rrallë librat biblikë dhe poezitë e Horacit, Virgjilit dhe
Pindarit. Në poezinë e tij, ndjenja e vetmisë, stili i vrazhdë, i sinqertë, “latin” përzihet me
ritmin e psalterit: Luis de Leon ishte, në të njëjtën kohë, një poet oborrtar dhe një profet. Me
pak fjalë, një humanist absolut. Ndër poetët më të mëdhenj spanjollë të epokës së artë, i
vlerësuar për “punën mjeshtërore e kujdesin ndaj fjalës” për “ndërtimin e saktë të strofës dhe
për përdorimin e një gjuhe të saktë, të qetë, absolutisht efektive në bukuri dhe harmoni”. Tek
Leon jeta mistike ka përparësi ndaj natës së errët, studimi ka përparësi mbi misticizmin,
shkujdesja mbi gjunjëzimin, qëndrueshmëria mbi ikjen, forma e pastër mbi pastërtinë e
pakufishme, ngjitja mbi asketizmin. Luis de Leon u burgos në 1572, për shkak të fjalimeve
demaskuese lidhur me kundëreformimin. Poeti dhe teologu guxoi të përkthente “Këngën e
Këngëve” në gjuhën popullore, duke iu referuar hebraishtes së lashtë dhe jo përkthimit latin
të kanonizuar. Realisht, ai ishte një poet shumë i njohur, nën spektrin e zilisë. Dominikanët
miratuan çdo mashtrim gjyqësor për të penguar poetin të jepte mësim: Inkuizicioni e mbylli
në burgjet e Valladolidit deri në dhjetor 1576. Në 1579, ai dha mësim në katedrën e hkrimin e
Shenjtë në Salamanca, mes studentëve ishte dhe Juan de la Cruz. Në mësimin e parë, pas
katër vitesh burg, poeti dhe teologu e nisi me frazën e mirënjohur: Dicebamus hesterna die ,
siç thamë dje… “Shpirti i tij njihet dhe shkrihet në orët e natës, kur mundimi i pasioneve është
i heshtur dhe përpjekjet e njerëzve pushojnë; ai ëndërron dhe udhëton në ekzaltimin e tij lirik
thellësitë e harkut qiellor, në harmonitë e yjësive, zhaurimën e ujit që zbret në luginë,
paqartësinë muzikore që zgjon rezonanca të pacaktuara paqeje; por mbi të gjitha mat ankthin
e tij për t’u ngjitur drejt lartësive mistike:
Luis de Leon është poeti i heshtjeve dhe i vetmisë, i
ndjekur gjithmonë nga nostalgjia e hapësirave të pafundme dhe oazeve shpirtërore”. Njeri me
horizonte të pafundme, ai admironte Petrarkën dhe Bembon: në vargun e tij ankthi nuk ka
asnjëherë aludimin e vishnjës, nuk është në shërbim të dorëzimit; mënyra e zhveshur, jeta
lakuriqe matet gjithmonë: ajo ndjek klishenë klasike, vazhdimin stoik, frymëzimin lirik, që
nga Seneka e Agustini arrin pikërisht te Petrarka dhe Ariosto. I shkëlqyeri Luis de Leon,
poetin që dëshiron të jetojë me vetveten, sipas mënyrës së tij – vivir quiero conmigo – në
magjinë e të drejtëve.
Në burg
Zilia dhe gënjeshtra
më kanë burgosur.
Lëvduar qoftë gjendja e përulur
e të urtit që zmbrapset
nga kjo botë e fëlliqur
dhe nga shtëpia e varfër
zgjedh rrugën e fushave
për të qenë me Zotin i vetmi
i mëshirshëm dhe e kalon jetën
i vetëm
as xheloz, as i xhelozuar.