Është një pyetje universale, që nuk ka vetëm një përgjigje, por miliona, madje miliarda përgjigje. Një të tillë po ua japim përmes njohurive shekullore të shkrimtarëve, të mbledhura në një sërë frazash dhe aforizmash të jashtëzakonshme mbi shkrimin. Përse shkruajmë? Meqenëse është një aktivitet i panatyrshëm, por edhe ekskluziv, sepse i përket vetëm qenieve njerëzve dhe asnjë specieje tjetër shtazore. Ndër frazat më të bukura për të shkruarit gjejmë refleksione mbi natyrën kalimtare të jetës: përpiqemi të ndalojmë “këtu dhe tani”, ta përjetësojmë momentin kalimtar si në një fotografi. Me pak fjalë, ne shkruajmë edhe për të jetuar, sepse është një mënyrë për të sfiduar vdekjen: njeriu ka shkruar që në fillimet e kohërave, në muret e shpellave prehistorike, që të mund të thoshte “unë”, të linte gjurmë ekzistence. Vetëdija tërësisht njerëzore për vdekjen është qendra e çdo përvoje shkrimi. Mirëpo, të shkruarit është gjithashtu një mënyrë për të renditur çështjen magmatike të jetës, për t’i shpëtuar tiranisë së rastësisë, për të sfiduar paragjykimet, për të zgjeruar horizontet deri në pikën për të pasur një ide të re për të ardhmen. Shkrimi është gjithashtu një mënyrë për të plotësuar mungesat, për të evokuar të vdekurit ose fytyrat e njerëzve të dashur. Për shumicën, shkrimi përfaqëson një qendër graviteti, një pikë të qëndrueshme, të fortë, një gjurmë absolute në humnerën e kaosit. Pra, përse të shkruajmë? Po japim disa nga aforizmat më të mira për shkrimin:
Përse shkruaj? Nga frika. Nga frika se mos humbet kujtesa e jetës së njerëzve për të cilët shkruaj. Nga frika se mos më humbet kujtesa.
(Fabricio De Andre)
Shkrimi është i panjohur. Para se të shkruani, nuk dini asgjë për atë që do të shkruani dhe me qartësi të plotë.
(Margarit Dyra)
Të shkruash është kur fluturon, të shkruash kur ndez zjarre. Të shkruash është nxjerrja e vdekjes nga xhepi i majtë, vërvitja e saj pas murit dhe ta kapësh kur kërcen.
(Çarls Bukowvski)
Gjithçka që duhet të bëni është të shkruani një fjali të sinqertë. Shkruani fjalinë më të sinqertë që dini.
(Ernest Heminguej)
Dikush na mbikëqyr ndërsa ne shkruajmë. Mamaja. Mësuesi. Shekspiri. Zoti.
(Martin Amis)
Ju nuk shkruani sepse keni diçka për të thënë, por sepse doni të thoni diçka.
(Emil Cioran)
Dora e shkrimit duhet të përpiqet gjithmonë të injorojë syrin e leximit.
(Zhyl Rënard)
Shkrimtari është ai që kur ngjitet në një pemë, pema lulëzon.
(Alberto Moravia)
Të shkruarit është një mënyrë për të harxhuar kohë, për t’i bërë asaj nderimin që i takon.
(Gianni Celati)
Çfarë është kjo rrëmujë vizash, pikash, hapësirash, pikash të dyfishta e të trefishta admirimi, çfarë di unë? Po shoh që shkrimi hieroglifik është kthyer në modë dhe ndjenjat dhe idetë nuk shkruhen më, por përfaqësohen; dhe duke mos ditur t’i nënkuptojmë gjërat me fjalë, do të duam t’i pikturojmë ose t’i nënkuptojmë me shenja, siç bëjnë kinezët, shkrimi i të cilëve nuk përfaqëson fjalë, por gjëra dhe ide. E ç’mund të jetë tjetër nëse nuk e kthen artin e të shkruarit në fëmijëri?
(Giacomo Leopardi)
Kjo dëshirë e pashuar për të shkruar diçka para se të vdes, kjo ndjenjë gjithëpërfshirëse e kalueshmërisë së ethshme të jetës, që më bën të kapem, si një njeri pas një shkëmbi, pas spirancës time të vetme.
(Virxhinia Ullf)
Unë shkruaj sepse nuk di të bëj asgjë tjetër. Shkruaj sepse më vonë mund t’ua kushtoj librat nipërve të mi. Shkruaj sepse kështu kujtoj të gjithë njerëzit që kam dashur.
(Andrea Camilleri)
Unë shkruaj romane, sepse fiksioni ka aftësinë të na mësojë atë që nuk dimë dhe atë që nuk jepet, siç thotë një personazh i romanit që sapo mbarova.
(Javier Marias)
Të shkruarit është pikturimi i zërit.
(Volteri)
Shkrimi më mbron. Unë shkoj para duke e mbrojtur veten me fjalët e mia.
(Zhorzh Perek)