Sipas Rusoit, virtyti i vërtetë është aftësia për ta vënë të mirën kolektive përpara interesit individual. Më 24 korrik 1749, filozofi Denis Didëro, një nga filozofët, animatorë të projektit “Enciklopedia”, u arrestua për shkak të artikujve kundër pushtetit dhe u burgos në Vincen. Zhan Zhak Rusoi, miku i tij, e vizitonte shpesh gjatë burgimit. Një herë, gjatë këtyre vizitave, filozofi gjenevas pati njëlloj epifanie. Lexoi për një konkurs organizuar nga Akademia e Dizhonit me temë “Nëse përmirësimi i shkencave dhe i arteve ndihmon në përmirësimin e moralit”. “Nëse diçka i ka ngjarë një frymëzimi të menjëhershëm, është ndryshimi që ndodhi tek unë me atë lexim”, shprehet autori. Siç tregon në “Rrëfime”: “Befas, ndjeva të ma troshitnin shpirtin një mijë drita, turma idesh të gjalla u paraqitën të gjitha së bashku me një forcë dhe një pështjellim që më zhyti në një shqetësim të pashprehur. (…) Pashë një univers tjetër dhe u bëra një njeri tjetër”. Si rrjedhojë, në mendje iu organizuan ide, intuita, madje edhe thjesht ndjesi të paqarta, mbi të cilat ai kishte medituar prej disa kohësh rreth rolit që kishte pasur procesi qytetërues në krijimin e varësisë, pabarazisë dhe mjerimit ku kishte rënë njerëzimi, sapo u braktis nga natyra. Sepse njeriu është i mirë dhe i lumtur nga natyra dhe qytetërimi është shkaku i prishjes dhe pakënaqësisë së tij. Duke zhvilluar këto ide, Rusoi mori një pozicion antitetik në lidhje me atë të miqve filozofë, mbi të gjitha Volterin. Vendosi të merrte pjesë në konkursin e Akademisë së Dizhonit me esenë: “Ligjëratë mbi shkencat dhe artet”, që do të vlerësohet me çmim të parë. Këto ide do të vazhdojnë të vendosen për vite me radhë dhe më pas do të bëhen bërthama qendrore e veprës së rëndësishme “Diskursi mbi origjinën dhe themelet e pabarazisë midis njerëzve” (1755), ku filozofi rindërton historinë që e çoi njerëzimin nga gjendja natyrore, e egër, por paqësore, drejt degradimit të saj të lidhur me fillimin e pronës dhe pabarazisë, deri në një gjendje të re – “shoqëria civile” – e karakterizuar nga konflikti, varfëria dhe mjerimi.
“Të gjithë vrapuan drejt zinxhirëve të bindur për të siguruar lirinë e tyre, sepse, – shkruan Rusoi, – ata kishin sensin e mjaftë për të perceptuar avantazhet e një kushtetute politike, por jo përvojë të mjaftueshme për të parashikuar rreziqet e saj. Më parë, ata që ishin më të aftë për të nuhatur abuzimet, ishin pikërisht ata që llogaritnin të përfitonin prej tyre, madje edhe të mençurit e shihnin se ishte e nevojshme të vendosnin të sakrifikonin një pjesë të lirisë së tyre për ruajtjen e tjetrit, pasi ashtu si i plagosuri pret krahun për të shpëtuar pjesën tjetër të trupit (…) Kjo ishte, të paktën ka të ngjarë, origjina e shoqërisë dhe e ligjeve, të cilat u dhanë pranga të varfërve dhe forca të reja për të pasurit, duke e shkatërruar pa rikthim lirinë natyrore, duke fiksuar përgjithmonë ligjin e pronës dhe pabarazisë, duke bërë një të drejtë të parevokueshme të një uzurpimi mendjemprehtë…”. Pra, kemi diagnozën e tmerrshme që përshkruan kalimin nga gjendja origjinale e natyrës bazuar në “pastërtinë” në një gjendje të re të natyrës “rezultat i një tepricë korrupsioni”. Dhe ky është kushti nga i cili tani është e nevojshme të fillojmë, sipas Rusoit, për të vënë në mëdyshje rendin politik të dëshirueshëm, të aftë në të njëjtën kohë për të zbutur problemet që lidhen me bashkëjetesën e nevojshme midis individëve, nga njëra anë, dhe garantimin, nga ana tjetër, të aspiratës së tyre legjitime për liri dhe barazi, kushte që karakterizonin gjendjen origjinale të natyrës përpara ardhjes së “qytetërimit”.
“Këto mrekulli, – përfundon filozofi, – janë vepër e ligjit. Njeriu i detyrohet vetëm ligjit dhe lirisë. Është ky organ shpëtimtar i vullnetit të të gjithëve që rivendos barazinë natyrore midis njerëzve në ligj”. Qytetarët nuk e transferojnë sovranitetin te një sovran, por e tjetërsojnë atë tek vetja, duke vendosur të qeverisin veten si komunitet dhe jo më si individ përmes vullnetit të përgjithshëm dhe jo më vetëm përmes vullnetit individual.