E përkujtojmë Ditën Botërore të Teatrit, themeluar në Vjenë, në 1961, gjatë Kongresit IX Ndërkombëtar të Teatrit, me një nga tragjeditë më të interpretuara në botë, të përkthyer thuajse në të gjitha gjuhët ekzistuese: “Hamletin” e Uilljam Shekspirit.
Vepra kushtuar princit të Danimarkës, ka hyrë në imagjinatën kolektive deri në atë masë, saqë gjeneron edhe ndryshime gjuhësore, duke e formësuar gjuhën sipas imazhit dhe ngjashmërisë së saj. Termi hamletik dëgjohet rëndom, i lidhur shpesh me të famshmin dyshim (“Kam një dyshim hamletik”).
Aktualiteti i tragjedisë së Shekspirit qëndron pikërisht në aftësinë që ka për të përshkruar, dhe reflektuar, hutimin dhe shqetësimin universal të njeriut modern. Ky efekt “pasqyrim” bëri që Hamleti të bëhej mishërimi i një ideologjie ekzistenciale specifike të paraqitur në monologun e famshëm “Të jesh apo të mos jesh”.
Nga gjuetia e fantazmave, Hamleti do të bëhet vetë një fantazmë, kërkimi këmbëngulës për kuptimin do të degjenerojë në çmenduri: arsyeja gjen shpjegim në trillim, ashtu si për Uilljam Shekspirin ekzistenca bëhet teatër.
Çfarë do të thotë hamletik?
Hamlet do të thotë i pavendosur, dyshues, kontradiktor, i paqartë, i lëkundur. Term që pasqyron gjendjen e hutimit dhe pasigurisë së heroit shekspirian, personazhit të parë teatror të aftë për të pasqyruar krizën e një bote dhe të një sistemi të tërë vlerash.
Tragjedia mishëron këtë marrëzi, këtë përplasje midis vullnetit për të vepruar dhe nevojës për t’u përshtatur me realitetin. Grindja e përjetuar nga Hamleti është tragjedia e njeriut modern, i cili ka humbur çdo pikë referimi, çdo moral dhe ndjen se fatin e ka në duart e tij të pafuqishme.
Në aktin e parë të “Hamletit”, Shekspiri shkruan: “Koha është jashtë bashkimit”. Pra, koha është jashtë kontrollit, koha është e pavarur. Dramaturgu anglez i referohej krizës së traditës, daljes nga rregullat e paracaktuara, por ky përkufizim është i zbatueshëm edhe për të tashmen tonë në mëshirë të krizës klimatike, luftës, pandemive dhe një të ardhmeje të pasigurt. “Hamleti” është termi që pasqyron vetë mishërimin e dyshimit, të hutimit, të një kërkimi për kuptimin aq kokëfortë, sa të kufizohet me çmendurinë. Një përkufizim që në fund të fundit mund të lidhet jo vetëm me një tipar karakteri (dyshues, hezitues, i paqartë), por me vetë njeriun.
Duke perifrazuar Shekspirin, mund të themi se njeriu bashkëkohor, që jeton në shekullin XXI, është hamletik. Kritikët e interpretojnë si “tragjedia e mendimit” dhe pikërisht në këtë përkufizim mund të gjendet e vërteta dhe rëndësia e saj.
Të jesh apo të mos jesh, konflikti midis njeriut dhe asgjësë, midis nevojës së dëshpëruar për të vepruar dhe harresës paralizuese të mosveprimit: kjo mosmarrëveshje ekzistenciale shkon përtej dyshimit dhe përmblidhet në termin absolut, i cili, ashtu si universi, mbyll gjithçka “hamletik”.
Uilljam Shekspiri e krijoi këtë konflikt në shekullin e shtatëmbëdhjetë, duke i zbuluar botës mbarë sekretin e natyrshëm në artin e teatrit: jeta është përfaqësim.