Parapëlqej gjithmonë “Jo”-në.
Mos iu përgjigjni pyetjeve, refuzoni intervistat, mos nënshkruani manifeste, sepse gjithçka do përdoret kundër jush, në një shoqëri që është qartazi kundër lirisë së individit dhe, megjithatë, favorizon keqqeverisjen, botën e krimit, mafien, kamorën, partitokracinë, e cila pengon kërkimin shkencor, kulturën, një jetë të shëndetshme universitare, e dominuar nga burokracia, policia, kërkimi i gënjeshtrave, fisi, magjistarët e fisit, rufjanët, jugorët ambiciozë, veriorët e përjashtuar, centralistët qendërsynues, kisha, nga shërbëtorët, nga të mjerët, nga të pangopurit për pushtet në çdo nivel, nga të konvertuarit, nga të dështuarit, nga veteranët, nga të gjymtuarit, nga elektricistët, nga punëtorët e gazit, nga studentë të refuzuar, nga pornografët, poligrafët, mashtruesit, mistifikuesit, autorët dhe botuesit. Përgjigjuni: Jo.
Mos u dorëzoni pas joshjes së televizionit. Mos i lini t’ju rriten flokët, sepse kjo shenjë e jashtme do ju klasifikojë dhe veprimi juaj mund të neutralizohet sipas kësaj shenje. Mos këndoni, sepse këngët tuaja pëlqehen dhe aneksohen. Mos e preferoni dashurinë ndaj luftës, sepse edhe dashuria është një ftesë për të luftuar. Mos preferoni asgjë.
Mos u mblidhni me ata që mendojnë si ju, mijëra jo të izoluar janë më efektivë se miliona jo në grup. Çdo grup mund të preket, aneksohet, përdoret, shfrytëzohet. Në qendrat e votimit, hidhni fletën e votimit bosh, ku të keni shkruar: Jo. Kjo do të jetë mënyra e fshehtë për të numëruar.
Një “Jo” duhet të ngrihet nga thellësia dhe të trembë votuesit e “Po”-së. Ata do të pyesin se çfarë nuk vlerësohet në optimizmin e tyre.