Betejat sociale të shkrimtarit amerikan Xhon Steinbek (John Steinbeck), fitues i çmimit “Nobel” për letërsi, me motivacionin “Për shkrimet realiste dhe imagjinare, duke ndërthurur humorin e ndjeshëm dhe perceptimin e mprehtë shoqëror” janë më aktuale se kurrë.
Një nga eksponentët kryesorë të “Brezi i Humbur”, lindi më 27 shkurt 1902 dhe vdiq më 20 dhjetor 1968. Me penën e tij, ai tregoi për depresionin e madh përmes syve të punëtorëve, të shfrytëzuar rëndë në atë kohë dhe të dëbuarve. Në kryeveprën “Vilet e zemërimit”, fitues i çmimit Pulitzer në 1940, rrëfen odisenë e një familjeje të detyruar të largohet nga Oklahoma për të kërkuar pasurinë e tyre në Lindje. Denoncimi i Steinbekut për kushtet e emigrantëve të shtypur dhe të detyruar për të jetuar në kushte çnjerëzore, jehon ende i gjallë dhe aktual në ditët e sotme, teksa varkat me jetë njerëzish mbyten çdo ditë përgjatë brigjeve tona, duke shkaktuar një masakër të heshtur që duket se nuk do marrë fund kurrë.
Para së gjithash, vështrimi i Steinbekut është skrupuloziteti i gazetarit dhe reporterit, i vëmendshëm ndaj gjërave që ndodhin kur ndodhin, të cilat i ndërthur me ndjeshmërinë dhe lirizmin e ndjeshëm të shkrimtarit.
Perceptimi i mprehtë shoqëror nuk dështon kurrë në shkrimin e Steinbekut, premtimet e parealizuara të vegjëlisë janë konstante në narrativën dhe protagonistët e tij, dobësuar nga uria dhe vazhdimisht në lëvizje, duken ende të gjallë dhe të vërtetë sot, një pasqyrim spekulativ i holokaustit që ndodh përgjatë brigjeve: “Dhe në sytë e tyre rritet tërbimi. Në shpirtrat e të uriturve, farat e tërbimit bëhen hardhi dhe hardhitë vile gati për t’u këputur”. “Letërsia është e vjetër sa fjala, – thotë në fjalimin e marrjes së çmimit “Nobel”. – Ajo lindi nga nevoja e njeriut dhe nuk ka ndryshuar veçse është bërë më e nevojshme”.
Nga shkrimtarët që vlerësonte dhe donte, Steinbek citoi Uilljam Folknerin, i cili ishte më i vetëdijshmi për “fuqinë dhe dobësinë njerëzore” dhe përmes tregimtarisë u përpoq të shpjegonte “kuptimin dhe zbërthimin e frikës”.
“Kjo është arsyeja më e lartë për detyrën e një shkrimtari: Nuk është risi. Detyra e dikurshme e shkrimtarit nuk ka ndryshuar. Ai ka për detyrë të ekspozojë të metat dhe dështimet tona të shumta serioze, të nxjerrë në dritë ëndrrat tona të fshehta dhe të rrezikshme për t’i përmirësuar ato. Prandaj, shkrimtarit i takon të mbushë njerëzimin me ndjenja fisnike, të tilla si guximi, dhembshuria dhe dashuria, për të përballuar dobësinë dhe dëshpërimin e shfrenuar. Me pak fjalë, letërsia duhet të dëshmojë madhështinë e mendjes dhe shpirtit dhe shkrimtari duhet të besojë, para së gjithash, në gjendjen e përsosurisë së njeriut dhe në aftësinë e njerëzimit për të jetuar në paqe”.
Duke reflektuar mbi kohën dhe, në veçanti, mbi përparimin e jashtëzakonshëm shkencor që po ndodhte, Steinbek arrin në përfundimin se tashmë njeriu ka uzurpuar shumë nga fuqitë që dikur i atribuoheshin Zotit. Tashmë është njeriu që vendos për “sundimin mbi jetën ose vdekjen e botës dhe të të gjitha qenieve të gjalla”: një vëzhgim verbues dhe në të njëjtën kohë i frikshëm që ia kthen njeriut, dhe jo në ndonjë hyjni hipotetike, fuqinë për të vepruar sipas fatit të vet. Fuqia që ata mendonin se ishte hyjnore, tani është në duart tona dhe ne si njerëz mbajmë përgjegjësinë e madhe që dikur ia atribuonim Perëndisë.
Steinbek e mbyll fjalimin, duke ripohuar se qëllimi më i lartë dhe më fisnik i Letërsisë është të veprojë në emër të Njerëzimit: “Vetë njeriu është bërë rreziku ynë më i madh dhe shpresa jonë e vetme”. Së fundmi, autori parafrazon një fjali nga Ungjilli i Gjonit, duke gjetur në interpretimin biblik bashkimin ndërmjet reales dhe shpirtërores, që është tipari stilistik i të shkruarit të tij: “Kështu që sot Apostulli Gjon mund të parafrazohet: Në fund është Fjala, dhe Fjala është njeri – dhe Fjala është me njerëzit”. Fjala është me Njeriun.
A ka ndoshta një mënyrë më të mirë për të shprehur mrekullinë e krijimit letrar? Xhon Steinbek e rrëfen letërsinë sikur të ishte një fe dhe romanet e tij, edhe sot, duken si lutje laike që ndoshta nuk mjaftojnë për të shpjeguar të keqen në botë, por na ndihmojnë ta durojmë atë.