Para së gjithash, përralla është një mjet ideal, që fëmija të mbajë pas vetes të rriturin. Nëna është gjithmonë shumë e zënë, babai shfaqet dhe zhduket sipas një ritmi misterioz, burim i përsëritur ankthi. Rrallëherë i rrituri ka kohë të luajë me fëmijën ashtu siç do të donte, pra me përkushtim dhe pjesëmarrje të plotë, pa u shpërqendruar. Por me përrallën është ndryshe.
Për sa kohë që zgjat, nëna është aty, e gjitha për fëmijën, një prezencë e qëndrueshme dhe ngushëlluese, një ofruese mbrojtjeje dhe sigurie. Thuhet se kur, pas së parës, ai kërkon një përrallë të dytë, fëmija nuk është vërtet i interesuar ose ekskluzivisht i interesuar për ngjarjet e saj: ndoshta ai thjesht dëshiron ta zgjasë atë situatë të këndshme sa më shumë që të jetë e mundur, të vazhdojë të ketë nënën pranë shtratit të tij, ose ulur në të njëjtën karrige. Goxha rehat, në mënyrë që ajo të mos ketë dëshirë të ikë shumë shpejt. […]
Zëri i nënës nuk i flet vetëm për “Kësulëkuqen” ose “Gishton”, por i flet atij për veten. Një semiolog mund të thotë se fëmija është i interesuar, në këtë rast, jo vetëm për “përmbajtjen” dhe “format”, jo vetëm për “format e të shprehurit”, por për “substancën e të shprehurit”, d.m.th. zëri, me nuancat, vëllimet, modulimet e tij, me muzikën e tij që komunikon butësinë, që zgjidh nyjet e shqetësimit, i bën fantazmat e frikës të zhduken.
Xhani Rodari është vlerësuar gjerësisht si një nga autorët më me ndikim të fëmijëve italianë të shekullit të 20-të. Në vitin 1970, qe i pari dhe i vetmi italian deri më sot, që ka fituar çmimin prestigjioz “Hans Kristian Andersen”, një nga çmimet më të larta ndërkombëtare në letërsinë për fëmijë. Thuajse gjithë veprat e autorit janë të mbushura me mirësi dhe optimizëm. Parime të tilla si dashuria për të vërtetën, dhembshurinë, kuriozitetin dhe ndershmërinë është thelbi i karakterit të autorit.
Ai është një zhongler fjalësh, i aftë të shprehet në një mënyrë të thjeshtë dhe akuza e tij revolucionare të prekë zemrën e gjithsecilit, sepse Rodari është një revolucionar i vërtetë i frazave, i sintaksës, pasi falë fjalëve të tij ai kryen një hulumtim analitik mbi njerëzit, mbi marrëdhëniet njerëzore dhe mbi ndjenjat që shënojnë jetën tonë.
Të krijosh histori për fëmijët është kaq e natyrshme, sepse mendja e tyre nuk kushtëzohet nga koncepte që lidhen me filozofinë, fizikën, politikën. Mendimet e tyre janë mendime të lira, të afta të fluturojnë për të arritur në vendet më të panjohura dhe të pabesueshme që ekzistojnë. Pikërisht nga këtu, nga ky krijim i pakushtëzuar lindin ushtrimet për imagjinatën. Kjo është gramatika e fantazisë.