“Nuk shpresoj për asgjë. Nuk kam frikë nga asgjë. Jam i lirë”.
Νikos Kazanzaqis është një nga autorët grekë më të rëndësishëm të shekullit XX, njëherazi edhe shkrimtari grek më i përkthyer në mbarë botën. Ai lindi në Iraklio të Kretës më 18 shkurt 1883 dhe vdiq në Freiburg në vitin 1957. Ka qenë një figurë tejet kundërshtuese, madje u shkishërua nga kisha greke. Filozofia e tij unike mund të përmblidhet me frazën: “Nuk shpresoj asgjë. Nuk druaj asgjë. Jam i lirë”.
Shkrimi i shkrimtarit të madh është pasionant, i papërpunuar, rebel, i paparashikueshëm dhe shpesh mistik – shumë si vetë Kreta. Mendimtar i ndikuar nga Niçe dhe Bergson, kohë kur ndoqi studimet në Paris, Nikos Kazanzqis do të sjellë origjinalitetin vetjak: një etikë e fuqishme ku jehojnë fjalët luftë, refuzim shprese, kërkim i njëfarë pavdekësie të caktuar nëpërmjet përpunimit të një mbinjeriu, i cili do të mishërohet në Uliksin e “Odisesë” së tij. Shquhet për një krijimtari të larmishme me poezi, romane, ese, libra për të rinj, teatër, tregime udhëtimi, përkthime, skenarë…
Veprat bazohen kryesisht në sensin e lirisë, mbrojtjes së natyrës, vlerave njerëzore dhe shpirtërore, si dhe një interes të madh për popujt dhe kulturat e tjera. Bota e Nikos Kazanzaqis mund të jetë e vështirë për të marrë frymë. Një forcë e tillë krijuese, me një besim kaq të pakrahasueshëm, e bën rezistencën pothuajse një refleks. Gjasimet e pjesshme me Niçen vihen rëndom në dyshim.
Arsyeja pse Kazanzaqis nuk është një emër familjar në botën jogreke, ndoshta vjen për faktin e thjeshtë ngaqë nuk i është dhënë çmimi “Nobel” për Letërsi, edhe pse, në të vërtetë, i është afruar shumë pranë, aq pranë sa mund t’i afrohet dikush. I nominuar për “Nobel” në vitin 1957, viti i vdekjes, në garë me Albert Kamynë, ai humbi me një votë. Gjithsesi, Kazanzaqis ishte ndoshta shkrimtari më i madh grek i shekullit të 20-të. Kohë më pas, shkrimtari francez do të shprehej me modesti dhe shumë respekt se “Kazanzaqis e meritonte njëqind herë më shumë sesa ai vetë”.
Më 1957, ndërsa vuante nga leuçemia, ndërmori dhe një udhëtim të fundit në Kinë dhe Japoni. Ndër veprat e shumta citojmë: “Udhëtim në malin e shenjtë”, “Krishti kryqëzohet përsëri”, “Zorba”, “Kapedan Mihali”, “Tundimi i fundit”, Udhëtim në…” etj.
Tek “Tundimi i fundit i Krishtit” Kazanzaqis krijon një histori interesante, që fokusohet në natyrën njerëzore të Jezu Krishtit, duke mos ndryshuar thelbin e Biblës dhe librave të shenjtë, por duke ndjekur një qasje krejt ndryshe dhe përparësi të tjera. Jezusi portretizohet si një njeri që duhet të vendosë midis një jete të vdekshme, por të gëzueshme dhe një jete të përjetshme pranë babait të tij, Zotit. Ky kontrast i dhimbshëm formon një analizë hipotetike, por thellësisht interesante të situatës dhe identitetit psikologjik të Zotit/njeriut dhe kjo është arsyeja përse kisha greke e shkishëroi Nikos Kazanzaqis.
Kazanzaqis ishte President i Fondacionit Letrar Helenik dhe mori Çmimin Ndërkombëtar të Paqes në Vjenë në vitin 1956.
“Keni penelat, keni ngjyrat, pikturojeni vetë parajsën tuaj dhe pastaj hyni”.