Meri Shelli e shkroi “Njeriu i fundit” në periudhën e saj më të trishtuar, fill pas vdekjes së tre prej fëmijëve dhe bashkëshortit Persi B. Shelli.
Në libër, autorja na ofron këshilla të vlefshme se si të përballemi me momentet kur jeta na duket e pakuptimtë…
Ka histori jete që na frymëzojnë, edhe pse kridhen në lumenj trishtimi. Shembull mirëfilli është figura e Meri Shellit, autores së “Frankenshtajnit” ose “Prometeu modern”. Jeta e saj gjithnjë është shënuar nga një dashuri pasionante, por tragjike: ajo e Perci B. Shellit.
Një marrëdhënie e përshkuar me ulje-ngritje të panumërta për shkak të aventurave të poetit me femra të tjera. Një nga përpjekjet e saj të vazhdueshme ishte të fitonte miratimin për poezinë e të shoqit. Shpesh i jepte prioritet punës së tij shumë më tepër se të sajës.
Megjithatë, kurrë nuk reshti së krijuari, duke i dhënë dorë të lirë mendimit dhe krijimtarisë. Nuk mund të harrojmë se pati një arsimim të shkëlqyer dhe se një nga obsesionet e të atit ishte që ta stërviste gjithmonë në lëndët më të ndryshme.
Meri Shelli befasoi botën me veprën e saj klasike gotike, por njëherazi qe shembull se si vuajtjet i përshkruajnë fatet tona me tis të padukshëm. Jeta e saj u shënua nga disa tragjedi, me të cilat u përball falë një mentaliteti shumë të veçantë që ia vlen të kujtohet. “Ka vetëm një zgjidhje për enigmën e ndërlikuar të jetës: të përmirësojmë veten dhe të kontribuojmë në lumturinë e të tjerëve”.
Kur Meri Shelli shkroi “Njeriu i fundit”, ajo po kalonte momentin më të keq të jetës. Po përballej me depresionin nga abortet, vdekjen e fëmijëve të vegjël nga sëmundjet infektive dhe pikëllimin e thellë për humbjen e të shoqit. Pse të jetojmë? – pyeste vazhdimisht protagonisti i “Njeriut të Fundit”.
Personazhi kthehet në rrënjët e tij, në shtëpinë e tij. Në një botë krejtësisht të shkatërruar, njeriu duhet të kthehet në atë që dikur kishte kuptim, një shtëpi, dhe, prej andej, të riformulojë qëllimet e veta. Lionel Vernei ishte alteregoja e vetë Meri Shellit në “Njeriu i fundit”.
Në atë botë të vetmuar, në gërmadha dhe pa gjurmët e njeriut të zemrës, protagonisti i përkushtohet vëzhgimit të bukurisë së natyrës. Nuk duhet shumë për t’u magjepsur nga përrenjtë, pemët, lulet, gjethnajës së pyjeve dhe ai transformim delikat me çdo stinë që kalon…
Pikërisht aty, në këtë skenar të ekuilibrit natyror, ai zbulon se sa rezistente është toka. Pikërisht në atë vend, ai zbulon se, pavarësisht nga boshllëku që e rrethon, bukuria shfaqet gjithmonë në një mënyrë të admirueshme. Në atë qëllim të vetë njerëzimit, ai bëhet i vetëdijshëm se qenia njerëzore ka gjithashtu aftësinë: të lulëzojë dhe të shndërrohet në diçka të mirë, në diçka të bukur. Në momente të zymta ne të gjithë kemi mundësinë të lulëzojmë dhe të përmirësohemi.
Larg nga të qenit i bllokuar në pakënaqësinë e humbjes, në zemërimin për atë që na është marrë, do të jetë gjithmonë më mirë të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i bërë të tjerët të lumtur. Jeta do të jetë gjithmonë një enigmë e komplikuar, por nëse kontribuojmë për të mirën e përbashkët, do t’i japim kuptim dhe domethënie më të madhe. Ky është çelësi.
Vdekur në moshën 53-vjeçare nga një tumor në tru, shkrimtarja pati një jetë të plotësuar, duke iu kushtuar asaj që donte vërtet, madje më shumë se bashkëshorti, letërsisë. I ati e edukoi që të kishte një mendje të lirë dhe të shkruarin ta shndërronte në stilin e saj të jetesës dhe instrumentin e saj të lirisë.