Fransua Moriak është një personalitet artistik në panoramën letrare të shekullit XX. Gjatë gjysmë shekulli, ai botoi një seri të gjatë romanesh. Moriak e quante veten “një katolik që shkruan romane”. Katolik, por në të njëjtën kohë borgjez dhe zhirondin. Ky trinom ndihmon në përshkrimin e personalitetit të shkrimtari, romanet e të cilit janë përkthyer dhe lexuar në të gjithë botën.
Zhanri në të cilin ai e njeh veten është ai tradicional i romanit psikologjik me një referencë të qëllimshme për autorët e dashur Balzak dhe Prust. Në vazhdën e tyre, shkrimtari ka mundur t’i japë një dimension të pamohueshëm klasik tërë krijimtarisë së tij.
Dominuese në narrativë shfaqet problemi i fajit të njeriut. Vështrimi i Moriakut drejtohet nga gjendja shpirtërore e personazheve të tij të copëtuar nga pasionet e turbullta dhe të korruptuara nga mishi.
“Çdo romancier duhet të shpikë teknikën e tij, kjo është e vërteta e çështjes. Çdo roman i denjë për këtë emër është si një planet tjetër, qoftë i madh apo i vogël, i cili ka ligjet e veta, ashtu siç ka florën dhe faunën e vet. Kështu, teknika e Folknerit është padyshim më e mira për të pikturuar botën e Folknerit dhe makthi i Kafkës ka prodhuar mitet e veta, që e bëjnë atë të komunikueshme. Benxhamin Konstant, Stendal, Eugjen Fromentin, Zhak Riviere, Radige, të gjithë përdorën teknika të ndryshme, morën liri të ndryshme dhe i vendosën vetes detyra të ndryshme. Vetë vepra e artit, pavarësisht nëse titulli është “Adolf”, “Lysien Leuen”, “Dominikë”, “Djalli në trup” ose “Në kërkim të kohës së humbur”, është zgjidhja e problemit të teknikës”, – shprehet Moriaku.
Puna e tij bazohet në bindjen, se shoqëria është terreni i zgjedhur ku forcat e errëta të së keqes dhe forcat shpëtimtare të së mirës përballen me njëra-tjetrën. Fryti i mundimit të brendshëm të një edukimi puritan të fiksuar pas mëkatit të mishit. Obsesion dominues, që ndërthuret me poshtërime të tjera: urrejtje, egoizëm, krenari, kotësi, çoroditje, koprraci. Një “lëmsh nepërkash” e pazgjidhshme që mbytin universin e personazheve të mbyllur në një vetmi materiale e morale.
Krijimtaria e Moriakut është e pasur dhe e larmishme. “Terezë Deskeiru” konsiderohet romani më i ngjashëm me Moriakun, tema e të cilit magjepsi edhe Francën e viteve 1920. Ai tregon thjesht historinë e një gruaje nga derë e fisme, e cila, pa ndonjë arsye të dukshme, përpiqet të helmojë të shoqin. Tiparet e Terezë Deskeirusë përshkruhen si një grua inteligjente, që i do librat dhe është e rafinuar, por në të njëjtën kohë e dykuptimtë, e vetmuar dhe e shqetësuar.
Moriak, shkrimtari që fitoi çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 1952, depërton thellë në dramën e së keqes shpirtërore të Terezës, në vetminë e saj të jashtëzakonshme dhe zbrazëtinë e shpirtit, ai nuk e dënon atë, por e paraqet të denjë për keqardhje, pa ia shfajësuar gabimet. Në të vërtetë, ai e imagjinon atë në një rrugë të etur për t’u zhytur mes njerëzve dhe për të gjetur ndihmë për të filluar nga e para.
Rrëfimi hapet në fund të procesit të gjyqit të Terezë Deskeirusë të akuzuar për tentativë vrasjeje të të shoqit, por do të jetë pikërisht ai që do ta shfajësojë për të shpëtuar “nderin e emrit”, ndërsa ajo lë Pallatin e Drejtësisë e lirë nga ana ligjore, por jo sa i përket anës së saj të errët dhe ripërshkon në mendje të kaluarën e saj.