Cioran dhe ngasja për t’u shtirur si dikush tjetër
Besnik ndaj pamjes së vet, i dhunshmi nuk dekurajohet, fillon nga e para dhe këmbëngul, pasi nuk u shmanget vuajtjeve.
Ai xhindoset në mënyrë që të tjerët të humbasin? Është udhëkryqi që ai merr, për të gjetur rrugën drejt shkatërrimit. Pas pamjes së tij të sigurt, pas kapardisjeve të tij, fshihet një admirues i trishtimit.
Kësisoj është ndër të dhunshmit ku has armiqtë e vetes. Dhe ne të gjithë jemi njerëz të dhunshëm, të zemëruar, të cilët, pasi kemi humbur çelësin e paqes, tashmë kemi qasje vetëm në sekretet e nervozizmit.
“Shpengimi, nëse vërtet na intereson, duhet të burojë nga vetvetja: s’ka kuptim ta kërkojmë diku tjetër, në një sistem tashmë të sajuar ose në ndonjë doktrinë orientale”.
Për ata, që, si Emil Cioran, besojnë se shumë bashkëkohës e kanë “të lehtë Indinë”, ose ndjekin një “çlirim shpirtëror”, ose një “shpëtim shpirti”, ose akoma më keq “një jetë kushtuar absolutes”, në mospërfillje të treguesit se “asgjë nuk është më në kundërshtim me zakonet tona, sesa ushtrimi i pasivitetit”, moda kaq e përhapur në Perëndim për të synuar Lindjen duhet të shfaqet dukshëm si një lloj shkurtoreje nga përgjegjësia për të ecur nga vetja dhe për të refuzuar maskat.
Është bërthama e një prej kryeveprave të padiskutueshme të meditimeve nihiliste: “Tundimi për të ekzistuar”, ku nuk është rastësi që ai i kundërvihet “shtirjes” së intelektualizmit dhe moralizmit libror, kaq tipike për një botë që tani i është dorëzuar deklamimit të unit, sesa hulumtimit të tij të çmagjepsur – të ashtuquajturit autenticiteti fillestar.
Cioran shkruan: “Jo gjithçka ka humbur: barbarët mbeten. Prej nga shfaqen? Nuk ka rëndësi. Për momentin, le të kujtojmë se ata së shpejti do të jenë në rrugën e tyre dhe se, ndërsa përgatiten për të festuar rrënimin tonë, ata meditojnë mbi mjetet për të na shëruar, për t’i dhënë fund arsyetimit tonë dhe marrëzive tona”.
Duke shtuar në mënyrë emblematike, si për të parafytyruar domethënien më ekstreme të procesit të madh shtegtues që po ndodh: “Duke na poshtëruar, duke na nëpërkëmbur, do të na japin energji të mjaftueshme për të na ndihmuar të vdesim, ose të rilindim”.
Në këtë ballafaqim, nga njëra anë, Orienti si një model abstrakt, nga ana tjetër, konsistenca materiale, e përjetuar, e dikurshme, e barbarisë që vjen nga hemisfera jugore – Cioran përshkruan kështu të keqen e madhe të Perëndimit: vendosja e maskave (duke filluar nga ekzotike dhe aziatike) për të mohuar veten në krahasim me të atypëratyshmen e ekzistencës, ose me atë përkim midis shpirtit dhe veprimit që është themeli, nëse vërtet duhet t’i japim një emër, të vërtetës.
Kësisoj duhet marrë Cioran, më pak ngushëllues i autorëve të modernitetit. Ose e mirëpresim duke i çjerrë maskat me rrezikun, që të gjendemi të zhveshur para vetes, ose i zbatojmë ato edhe më thellë në ndërgjegjen tonë, me rrezikun, megjithatë, t’i njohim si maska dhe në fund të vuajmë brishtësinë esenciale.