Ka emra më përrallorë se të tjerët. Emra që lindin në trillim dhe përrallë, lulëzojnë, bëhen zëri dhe pena e përrallës popullore, e historisë mes zanave të ëmbla dhe shtrigave gungaçe, mes princërve të panjollë dhe mollëve të helmatisura, edukojnë dhe mësojnë me zell a entuziazëm. Në zulmën e këtyre autorëve të dashuruar pas magjisë dhe folklorit, shquhen Jacob dhe Wilhelm Grimm nën qiellin e stuhishëm, nën hijen e majave të akullta të veriut të acartë. Përrallat kanë qenë shumë të pëlqyera, jo vetëm nga të vegjlit, kësisoj, kur bëhet fjalë për to, një nga emrat e parë që na vjen ndërmend është ai i vëllezërve Grimm, krijues të personazheve të pavdekshëm si “Borëbardha”, “Hansel dhe Gretel”, “Bukuroshja e fjetur”, “Hirushja”, “Rapunzeli” dhe personazhe të tjerë të panumërt përrallash.
Megjithëse, të shumtë janë ata që nuk janë në dijeni për origjinën e versioneve të njohura të këtyre përrallave. Një sukses që, siç ndodh shpesh, fsheh sekrete të vogla dhe të mëdha mes palave të tij. Një gjerdan për t’u shkoklavitur dalëngadalë, por me frymëmarrje pezull. Padyshim që i njihni mirë Jacob dhe Wilhelm Grimm, të përmendur më shpesh si “Vëllezërit Grimm”, dy vëllezër me origjinë gjermane, që jetuan dhe punuan në shekullin e 19-të si autorë dhe mbledhës të folklorit.
Ata ishin të interesuar për traditat popullore dhe rrënjët e gjuhës e kulturës gjermane, ndaj botimi i përrallave do të ndihmonte në rizbulimin e një identiteti kombëtar gjerman që nuk ekzistonte ende në kohën e tyre. Kryevepra e tyre pasqyronte plotësisht idetë romantike” zgjerimin e trashëgimisë popullore, misticizmin dhe misteriozen, kërkimin e elementit të mirëfilltë dhe primitiv. Atyre u atribuohen popullarizimi i më shumë se 200
përrallave më të pëlqyera, me veprën e tyre të famshme “Përralla për fëmijë dhe familje”, të njohura si përrallat e Grimms botuar në vitet 1812-1815./Botimet NAZARKO