“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri”, – thuhet në testamentin e Konicës.
Prozator dhe poet, publicist, estetist, kritik letrar e përkthyes. Me veprën e tij të shumanshme, Faik Konica pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja, gjuhën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.
Një vend i patjetërsueshëm në kulturën shqiptare; Konica ishte njohësi më i thellë, më i vërteti dhe ai më kritiku i shqiptarëve – mendja e hollë dhe krijuesi tekanjoz; një nga personalitetet më në zë të letërsisë shqipe, në trajtë të kulluar mendimi dhe stili. Një nga figurat më të rëndësishme të gjuhës dhe kulturës shqiptare të shekullit të njëzetë. Ministër fuqiplotë – Ambasador i Shqipërisë në Uashington, themelues i revistës së tij letrare “Shqipëria-Albania”.
Faik Konica shkroi pak në fushën e letërsisë, por si krijues, kritik, publicist dhe figurë politike, ai pati një ndikim të jashtëzakonshëm në shkrimin shqip dhe në kulturën shqiptare të kohës e më tej.
“Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. (Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë)”. /Botimet NAZARKO