Romantik apo realist? Historian apo romancier? Bonapartist apo liberal? Serioz apo ironik?
Prosper Merime është pak nga të gjitha këto, por jo vetëm. E ka përcaktuar veten si një imazh amator në lëmin e letërsisë, duke i quajtur “shaka të vogla” shkrimet e tij. Gjithsesi, krijimtaria e tij mbetet padyshim pjesë e thesarit klasik botëror. Në fund të fundit, këtij mjeshtri të penës franceze i detyrohemi novelat më të bukura në gjuhën frënge, njëherazi njihet edhe si shpëtimitari i shumë monumenteve historike në Francë.
Shkrimtari, historiani dhe arkeologu francez u rrit në një mjedis borgjezo-artistik, frekuentoi sallonet letrare ku u takua me Viktor Hugonë, Alfred dë Musenë apo Stendalin, i cili jo rrallëherë i shërbeu si frymëzim.
Merime parapëlqente misticizmin, historinë dhe të pazakonshmen. Shpesh historitë që ai rrëfen janë të mbushura me mister dhe, për më tepër, zhvillohen jashtë territoreve franceze, kryesisht në Spanjë dhe në Rusi, të cilat kanë shërbyer edhe si burime të përhershme frymëzimi. I tërhequr nga mistika dhe historia, ai u ndikua nga trillimet historike të popullarizuara nga Walter Scott dhe dramat psikologjike të Aleksandër Pushkinit.
Ka shkruar një numër të pafund tregimesh dhe novelash ndër të cilat: “Kolomba”; “Historia e Karlit IX”; “Mashtrim i dyfishtë”; “Tamango”; “Mateo Falkone”; “Perla” etj. Arti i Merimesë i ngjan atij të një skalitësi, lënda me të cilën punon është fort e koncentruar dhe shumë e fortë, përdor shumë pak fjalë në frazat e tij. Duke përshkruar karaktere të furishme, Merimeja mbetet realist dhe nuk idealizon, megjithëse është kurdoherë i pranishëm me ironinë e hollë, që është edhe një nga karakteristikat e stilit të tij.