Miku i pakrahasueshëm, i dashuruari i përzemërt, poeti qesëndisës dhe pijanec, përtaci ëndërrimtar, nxënësi i përjetshëm në fund të klasës që u bë shkrimtar. Çertifikata e shkollës e marrë në moshën 14-vjeç, do të jetë diploma e tij e vetme në jetë: Zhak Preveri ishte një tregimtar i jashtëzakonshëm. Ai prodhoi, mbi një shprehje thuajse uniforme, por asnjëherë monotone, mijëra fjali plot ide, imazhe, maksima komike, vëzhgime depërtuese, pirueta dhe gjykime të thella.
Ai shpreh dhimbjen dhe gëzimin, mjerimin dhe shpresën, me forcë dhe bindje, por disi më të shpenguar. Ai nuk harton një strategji revolucioni, nuk propozon zgjidhje të zbatueshme menjëherë, me udhëzime për përdorim. Padyshim, kjo vjen nga fakti që Preveri është një poet, domethënë një njeri i emocioneve, por jo i ideologjisë. Gjuha e poezive luan me mjaft mjeshtëri në dy regjistra: një gjuhë e thjeshtë dhe e lirë, shumë e afërt me të folurën e përditshme, që i përket më shumë atij të “popullit”, sesa atij të të gjithëve dhe një përdorim i zakonshëm i lojërave të fjalës në të gjitha format, qasje thuajse e sofistikuar e një retoriku të shkathët. E tëra përbën një mjet poetik shumë efektiv, i cili në mënyrë të alternuar favorizon lirikën dhe sarkazmin dhe vetë paqartësia e të cilit mund të prekë njëaudiencë shumë të madhe.
“Duhet të përpiqemi të jemi të lumtur, vetëm për të dhënë një shembull”, i pëlqente të përsëriste Zhak Prever. Ai ishte ironik, entuziast, sentimental dhe i sinqertë dhe mbi të gjitha besonte në dashuri, në atë ndjenjë gërryese dhe njëkohësisht i aftë për të gjeneruar jetë dhe shpresë. Zhak Prever pa në dashuri mjetet për të shpëtuar botën dhe veten, një mjet i vlefshëm kërkimi, megjithatë, vetëm nëse ishte spontan dhe pa modele e rregulla të
paracaktuara. Një ndjenjë për t’u jetuar këtu dhe tani, për shkak se jeta reale nuk mund ta mbajë veten larg dhe në distancë, ajo nuk ka kohë për t’u shtyrë.