Të lexosh do të thotë të mendosh me kokën e dikujt tjetër dhe jo me kokën tënde. Pasioni i të lexuarit të librave nga shumica e njerëzve të ditur, është një lloj arratie boshe, një arratisje nga zbrazëtia e mendimeve të trurit të tyre, i cili tërheq me forcë në brendësi substanca të huaja: për të pasur mendime, ata duhet t’i lexojnë diku tjetër, ashtu si trupat e pajetë e marrin lëvizjen vetëm nga jashtë, ndërsa të pajisurit me mendimet e tyre janë si trupa të gjallë që lëvizin vetë.
Arti i të mos lexuarit është shumë i rëndësishëm. Ai konsiston në mos kapjen në dorë të asaj që herë pas here lexon publiku i gjerë, si broshurat politike dhe letrare, romanet, poezitë e të ngjashme, të cilat në një moment të caktuar bëjnë zhurmë, madje ribotohen disa herë në botimin e tyre të parë dhe të fundit të jetës. Të pretendosh që një individ të ruaj gjithçka që ka lexuar, është si t’i kërkosh njeriut të mbajë brenda vetes gjithçka që ka ngrënë.
Sipas Shopenhauerit, të pranosh se thelbi i vërtetë i realitetit është vullneti, është njëlloj si të thuash se jeta është dhimbje, është vuajtje e përhershme. Jeta dhe ëndrrat janë fletë të të njëjtit libër: t’i lexosh me radhë, është të jetosh, t’i shfletosh rastësisht, është të ëndërrosh. Nëse jeta e zakonshme konsiston në dallimin e realitetit nga fantazia, vetëm duke përzier jetën dhe ëndrrat është e mundur të realizohen dëshirat dhe të përmbushen fantazitë. Për këtë metaforë, Shopenhaueri përdor objektin libër: me veprimet dhe vendimet tona ne shkruajmë dhe më pas lexojmë faqe pas faqe ekzistencën tonë të krijuar nga ëndrrat dhe realiteti. Fletë pas flete, ne mund të lëvizim nëpër “veten tonë të brendshme” dhe të vendosim se si duam t’i japim kuptim ekzistencës sonë: nëse t’i bëjmë ëndrrat të mbizotërojnë, ndoshta edhe t’i realizojmë dhe t’i konkretizojmë, apo të preferojmë një jetë më të zakonshme “duke lexuar” vetëm faqe që përshkruajnë realitetin.