Uilliam Folkner e përkufizoi Mark Tuenin si “atin” e letërsisë amerikane. Megjithëse, atëbotë gazetarët e shihnin Samuel Langhorne Clemens si filozof, intelektual me pamje aventurieri, me penë të tharbët dhe me gjeni mjeshtërore, i aftë të ofronte personazhe të paharrueshëm si Tom Sojeri, apo mikun e tij më të mirë, Haklëber Finin. Madje, Ernest Heminguei arriti deri atje sa të thoshte se letërsia amerikane filloi dhe mbaroi me të.
Natyrisht, ky mendim është disi i ekzagjeruar, pasi ka vërtet emra të tjerë të mëdhenj si Edgar Allan Poe, Nathaniel Hawthorne apo Herman Melville. Megjithatë, kishte diçka te Mark Tueni që e bënte të ishte një personazh më i madh se jeta: kolos në talent, shpërthyes në temperament, i paparashikueshëm në sjellje. Amerika në zulmën e avulloreve, gjuetarët që nxitonin drejt arit dhe pushtimi masiv i Perëndimit, i dhanë lëndën e parë të romaneve. Krijimtaria e tij shpalos një tërheqje ndaj personazheve të shkujdesur dhe liridashës, porse Mark Tuen ishte edhe moralist që denoncoi mizoritë e kohës. Vepra e mjeshtrit të letërsisë amerikane karakterizohet nga mprehtësia e humorizmit, shija për aventura dhe për kritikë të fortë sociale. Bashkimi i këtyre tri elementeve çoi në përsosmërinë e letërsisë artistike, gjë që letërsia amerikane nuk e kishte arritur kurrë më parë. Që në fillimet e karrierës, Tuen ishte më shumë se një shkrimtar i komdeisë. Humori ishte satirik, ndonjëherë edhe hidhur, dhe gjatë gjithë jetës ai tallej vazhdimisht me marrëzitë dhe të metat e “racës së mallkuar njerëzore”. Në ditët e sotme, rol të rëndësishëm luan satira sociale. Sekreti i suksesit si humorist, ishte se gjithçka që shkruante “në thelb kishte një filozofi apo të vërtetë serioze. Nuk do të shkruaja një vepër humoristike, thjesht për të qenë qesharake, do shkruante. Tuen nuk mbetet pas edhe si avokat i fjalës së lirë, një nga të drejtat e garantuara nga Kushtetuta e SHBA-së, të drejtë të cilën e mbrojti më shumë se shumica, madje e mbrojti më shumë se sa do të kishte dashur: mbrojti poezinë e Uolt Uitmanit kundër orvatjeve të përsëritura për ta censuruar. Në të gjallë iu ndaluan disa nga librat në librari, përfshi edhe “Aventurat e Tom Sojetir”, “Aventurat e Hakëlberi Finit” dhe “Ditari i Evës”. Në fund të shekullit XIX, Tuen shkroi për racizmin, ashtu si Henri Toro kishte shkruar për skllavërinë. Pra, në jetën dhe shkrimet e Mark Tuenit gjejmë mësime të nevojshme për kohën tonë: të qesëndisim lakminë dhe hipokrizinë, t’u rezistojmë stereotipeve racore, të dënojmë imperializmin ose ndërhyrjen në punët e kombeve të tjera me çdo mjet në dispozicion, përfshi humorin. Siç shkroi dikur Tuen: “Asgjë nuk mund t’i rezistojë të qeshurës”.
Një nga kryeveprat e letërsisë për fëmijë është edhe “Aventurat e Tom Sojerit”, i cili tregon historinë e një djaloshi që rritet përgjatë lumit Misisipi në vitet 1840. Romani zhvillohet në qytetin imagjinar të Shën Petërburgut, i frymëzuar nga shtëpia aktuale e fëmijërisë së Tuenit, Hannibal, afër St. Louis në Misuri. Disa prej ngjarjeve janë autobiografike, kurse shumë prej vendeve janë reale. Romani ka elemente që zakonisht lidhen me Tuenin si humori, satira dhe kritika sociale. Personazhi Tom Sojeri është jashtëzakonisht popullor, duke u konsideruar si mishërimi i djaloshit gjithëamerikan, plot çapkënëri, por me zemër të pastër.