“Histori e Skënderbeut” Naim Frashëri

Arsimi dhe qytetërimi i ngjajnë diellit, që kur lind ndriçon vetëm majat e maleve të larta, por pa shkuar gjatë i forcohet drita dhe nga shkëlqimi i tij përfitojnë fushat, luginat e përrenjtë e thellë.

 

U ngrit fati i Shqipërisë

si i vdekuri nga varri,

mori rrugët e Azisë

duke ikur si i marri.

Kush është bir shqipëtari,

e ka pjesë trimërie

sot një flakëzë prej zjarri

në zemr’ i zbret perëndie.

 

Jubiletë, duket se kthehen nga lashtësitë dhe gjallojnë me ne në rrëmujën e përditshme të jetës së njerëzve të shquar të kombit, së bashku me ç’na kanë kanë lënë të shkruara në amanetin e madh të librit. Asnjë mjeshtër i daltës nuk mund të nxjerrë nga vepra e tij frymën e shenjtëruar të Naimit, zjarrin e tij përvëlues për atdhe, mendjen e tij profetike dhe gjuhën e bekuar që arrin të thotë se “Për Shqipërinë/ ditët e bukura paskëtaj do të vinë”.

Ai nuk mund ta ndërrojë vendlindjen me asnjë parajsë tjetër, se ajo është gjithçka që mund të ketë parajsa dhe ndofta kjo e fundit e merr pikërisht në këtë vend dhe në këtë truall pikëzimin dhe ngjyrimin e vërtetë. Parajsa e Naimit është një copë toke në kufirin e një deti të lashtë të trazuar nga lakmitë e kohërave. Bukoliket e tij të famshme kërkojnë t’i kthejnë sytë mërgimtarëve nga ai vend madhështor, por hallemadh, që ata e kishin lënë pas shpine të detyruar nga shtrëngimet e jetës dhe të pushtimit. Ndër tre frashërlinjtë e mëdhenj, ai ishte më i ëmbli dhe më i buti, sepse ai ishte poeti, ishte kënga, zjarri i shpirtit të përvëluar për atdhe, ishte fatthënësi i kombit, ishte ai që kërkoi ta zëvendësonte shpatën e gjakut me shpatën e mendjes dhe të punës. Zoti i madh i Naimit ishte gjithkund ku ishte e mira. Rilindësi krijoi traditën e letërsisë patriotike kombëtare, duke sjellë në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit. Ai është bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës, është poeti, atdhetari, mendimtari dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare.

Vepra “Historia e Skënderbeut” luajti një rol shumëplanësh në formimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Naimi zgjodhi një tjetër shtrat, ku vendosi rrjedhën e poemës së tij në heroizmin e Gjergj Kastriotit për të arritur “Tokën e Premtuar” lirinë. Ndaj shekulli XV bëhet qendra e historisë kombëtare shqiptare nëpërmjet prijësit Gjergj Kastrioti, që e ktheu emrin e tij në një jehonë që endet edhe sot e kësaj dite kudo ku flitet shqip. E idealizon personifikimin e Skënderbeut me të gjitha vlerat e tij: trimërinë, urtësinë, bukurinë fizike e morale, udhëheqës me aftësi të rralla, organizator dhe strateg i madh, në luftë i dashur dhe i thjeshtë me njerëzit, luftëtar që bie si rrufe mbi armiqtë.

Thënie të Naimit:

– Njeriu që vetëm për vete punon, është si një dru që pemë s’lëshon.

– Fjala e huaj në gjuhë, është si dhia ndër dhen.

– Gjysma e punës është e mbaruar, kur ajo fillohet me dëshirë.

– Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë.

– Gjithë ç’jemi shqiptarë, dëshmuam se jemi një fis e një farë.