Veprat e nobelistit janë një dialog i vazhdueshëm me jetën. Në brendinë e faqeve lexojmë gjithë shqetësimin e një shpirti rebel dhe thellësisht të ndjeshëm ndaj botës. Knulp, një vagabond i dashur, endet nga qyteti në qytet, në shoqërinë e miqve që i ofrojnë ushqim dhe strehim. Në refuzim të përhershëm për të ushtruar ndonjë zanat, vend ose person, ai braktis edhe shokun që mund të konsiderohet vetë Herman Hese, gjatë verës kur dalin së bashku. Përgjatë shtegtimit të jetës, Hese është përherë në kërkim të vetvetes, çka e dëshmon jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe jeta që bëri. Çmimi “Nobel” i letërsisë në vitin 1946, poeti, kritiku, eseisti, shkrimtari, i njohur për theksin në zhvillimin shpirtëror të individit. Ndër titujt e mëdhenj që la, citojmë “Ujku i stepës”, “Siddharta”, “Endacaku Knulp”, etj.
“Vetmia është pavarësi: e kisha dëshiruar dhe e kisha fituar për shumë vite. Ishte e ftohtë, po e vërtetë, por ishte gjithashtu e heshtur, mrekullisht e heshtur dhe e madhe sa hapësira e ftohtë dhe e qetë në të cilën rrotullohen yjet. […]
Çdo njeri ka shpirtin e vet, nuk mund ta përziejë me asnjë tjetër. Dy qenie njerëzore mund të takohen, mund të bisedojnë me njëra-tjetrën, mund të jenë mike të ngushta. Mirëpo, shpirtrat e tyre janë si lulet, secila e rrënjosur në vendin e vet. Asnjëra nuk mund të shkojë tek tjetra, sepse do t’i duhej të shqitej nga rrënjët, gjë që nuk e bën dot. Lulet e venitin aromën dhe i thajnë farat, sepse duan të shkojnë tek njëra-tjetra; por lulja e ka të pamundur ta bëjë farën të shkojë në vendin e duhur; këtë e bën vetëm era, dhe era vjen e shkon ku të dojë.
Shtegtimi i Knulp është i lumtur, i butë, i zhytur në vetvete. Teksa është duke dhënë shpirt nën një stuhi dëbore, Knulp zhvillon një intervistë me Zotin, ku qorton veten për jetën që i kishte shkarë nga duart. Mirëpo, Knulpit i besohet se qëllimi i jetës së tij kishte qenë të sillte “pak dashuri për lirinë” në jetën e njerëzve të zakonshëm. Hese pikturoi një nga portretet më të bukura letrare: atë të një qenieje të lirë, që për të udhëhequr ekzistencën, parapëlqente ëndrrat ndaj rregullave shoqërore. Një personazh kompleks dhe tërheqës, Knulp kompozon figurën magjepsëse të diletantit të talentuar, mendimet e fshehta të të cilit lexuesi i thëthin gradualisht… Një roman magjik, një falje për lirinë, rastësinë dhe mosinteresimin, “Knulp” është edhe një meditim i shkëlqyer mbi plagët e fshehta, vetminë dhe dështimin.