…Kjo ishte Venecia, kjo bukuroshe lajkatare dhe e dyshimtë – edhe përrallë, edhe
kurth për të huajt; në ajrin e saj të qelbur dikur kishte lulëzuar arti me harbim dhe
vrull, ndërsa muzikantët e vet ajo i kishte pajisur me dhuntinë për të nxjerrë ca tinguj
të ëmbël, që të vënë në gjumë…
Moshimi perceptohet si sëmundje e shoqërisë së sotme. Secili prej nesh mban në
mendje imazhin e aristokrates plakë, e cila është shpërfytyruar nga kirurgu i saj
plastik: kanoe në vend të buzëve dhe mollëza të dala. Përse bëhet gjithë kjo? A
është plakja kaq e keqe? Nuk e di përgjigjen, por Tomas Mani në “Vdekje në
Venecie” përpiqet ta kuptojë përmes Gustav Ashenbahut, shkrimtarit gjerman të
pikëlluar nga mërzia e jetës së përditshme.
Gustavi i ka të gjitha: famën, paratë,
shëndetin, megjithatë nuk është i lumtur. Ai noton në melankoli: duke mos e jetuar
plotësisht rininë. Për pasojë, për t’u shpërqendruar protagonisti vendos të udhëtojë
dhe zgjedh pikërisht Venecien e viteve 1910. Tomas Mani përshkruan i shkujdesur
dhe me detaje hijeshinë e bregdetit joshës, përfshi edhe gondolat dhe gondolierët.
Një qytet me bonboniere që megjithatë fsheh një fatkeqësi të afërt: një formë kolere
vdekjeprurëse. Ashenbahu qëndroi në hotelin luksoz, ku njohu dhe ra në dashuri me
një vajzë të re polake. Taxio është kuintesenca e pasionit neoklasik të shkrimtarit
gjerman. Vdekja mund të simbolizojë ndryshimin që shkakton tek ne personi që
duam. Transformimi është i pamëshirshëm, nëse dashuria nuk është reciproke, më e
ëmbël nëse të kthehet mbrapsht. Mirëpo, këtu vihen në rrezik abiset e shpirtit. Çfarë
ndodh kur fiket kandela e arsyes dhe fillojnë e përzihen morali dhe imoraliteti?
“Vdekje në Venecie” është një libër mbi themelet e errëta të dëshirës. Tomas Man ia
përplas në fytyrë lexuesit brutalitetin e pasioneve të Ashenbahut, duke e mbrujtur
historinë me elemente romantike që zbutin atmosferën dramatike të novelës.