Borges – Verbëria e fatit

Njëqind vjet më parë, në vitin 1923, në rrugët e Buenos Airesit do të lindte një poet – 24-vjeçari Hoze Luis Borges. Me përmbledhjen e parë “vrulli i Buenos Airesit”, paralajmëroi krejt krijimtarinë e mëvonshme. Suksesi i vëllimit qe i rastësishëm, ashtu si di të jetë vetë fati: shkoi në selinë e revistës “Nosotros” dhe futi kopje në xhepat e palltove të redaktorëve varur në hyrje. Kështu fitova “një reputacion të vogël si poet”, shkruan ai në “Lavdërimi i hijes”. Nëse libri do të ishte botuar në verë, nuk do të kishte gjetur asnjë pallto varur ku të besonte fatin e tij…

Gjithë jetën Borgesi ëndërroi të mos ishte një person, por një libër. Ëndërronte që emri i tij të ishte thjesht një pseudonim për Bibliotekën Universale, ndoshta një algoritëm, një simbol i koduar, për të hyrë në Katalogun e Krijimit të të gjitha veprave të të gjitha kohërave. Jeta historike, reale dhe trupore i dukej e pakuptimtë, e parëndësishme, një fragment ndërhyrës. “Fakti kryesor i jetës sime, – shkruante, – ishte ekzistenca e fjalëve dhe mundësia e shndërrimit të fjalëve në poezi. Jeta si pretekst narrativ”. Duke cituar Homerin, ai thotë: “Perënditë thurin fatkeqësi për njerëzit, në mënyrë që brezat e ardhshëm të kenë diçka për të kënduar”. Jeta si mjet, arti si qëllim. Ajo çka mbetet nga jeta është historia e saj; është trashëgimia më e mirë, realiteti shkrihet me përgojimet ose përfaqësimin. Ka jetë që arrijnë të sajohen, çlirohen nga realiteti dhe hap-pas-hapi gradualisht shkojnë drejt shuarjes derisa bëhen përrallore. Edhe nëse “e gjithë letërsia është autobiografike”, për Borgesin personaliteti nuk ka konsistencë; egoja nuk ekziston, më së shumti derdhet në një ego transcendentale dhe jopersonale. Ai i shkruan tashmë “lexuesit të tij të mundshëm”: “Nëse në faqet në vijim ka ndonjë varg të suksesshëm, lexuesi duhet të më falë për paturpësinë që e kam kompozuar para tij. Ne jemi të gjithë i njëjti person; mosqenia jonë ndryshon aq pak dhe rrethanat ndikojnë aq shumë në shpirtrat, saqë është thuajse rastësi që ti je lexuesi dhe unë shkrimtari”. Fama, shkruan ai, është vetëm një pasqyrim i ëndrrave brenda ëndrrës së një pasqyre (Spinoza). Por shkrimtari nuk pushon kurrë, punon edhe kur ëndërron. Aq më pak ka nevojë për të thelluar marrëdhënien me kohën; ishte apolitik, jashtë historisë, urrente Peron dhe komunizmin, ishte konservator nga dashuria për të kaluarën, por jo nacionalist. Për ta bërë atë homerik dhe parashikues, perënditë e pamëshirshme i dhanë Borgesit fatkeqësinë e verbërisë. Që nuk ishte totale dhe e lindur, por gradualisht e ktheu botën në hije dhe kujtime, të cilat janë tharmi dhe gjaku i poezisë. “Verbëria, – thoshe ai, – më shumë sesa errësirë është vetmi”. “I verbëri ju pret thuajse çdo natë i ulur te dera. Hesht dhe dëgjon. Kujtimet e ngatërruara të gjërave të largëta ai i ringjall në heshtje, gjëra nga koha kur sytë e tij kishin mëngjes”. Për dashuri ai shtiret… Nostalgjia animon faqen e tij; herë është nostalgji për atë që nuk ka ndodhur kurrë, herë është nostalgji për të tashmen. Nostalgjia vendos gjithmonë një distancë, është një katarakt që ndan të jetuarit nga zgjimi. Mënyra e vërtetë për të qëndruar në një vend, është të qëndrosh larg tij dhe të ndihesh nostalgjik për të. Zotërimi i vërtetë lind nga mungesa, miti lind nga distanca. “Vetëm ajo që ka vdekur është e jona, vetëm ajo që kemi humbur është e jona”. Nuk ka parajsa të tjera përveç parajsave të humbura. Cila është magjia e Borgesit?

Në historinë e përjetësisë, Borges imiton Platonin, Plotinin dhe Shën Agustinin, krijon një parodi të filozofisë ëndërrimtare, lozonjare dhe përrallore dhe tallet me përjetësinë dhe kohën. Koha thelbësore, për të, është më shumë në formë rrethore, sesa drejtvizore; nuk njeh vazhdimësi ndërmjet së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes, por njëkohshmërinë, përsëritjen dhe shkëmbimin e pjesëve. “Gjithçka ndodh për herë të parë, por përjetësisht”. Borges beson në përjetësinë e së shkuarës. E kaluara është e pathyeshme, herët a vonë të gjitha gjërat kthehen, dhe një nga gjërat që do të kthehen është projekti i shfuqizimit të së shkuarës. “Ne jemi tashmë të vdekur, kur asgjë nuk na prek, as një fjalë, as një dëshirë, as një kujtim. Unë e di se nuk kam vdekur”. E kundërta, si mund të vdesë dikush që ka qenë shumë pranvera dhe shumë gjethe, shumë libra dhe shumë zogj dhe shumë mëngjese e net? Pastaj është vdekja e thirrur, të cilës i qasemi “sikurse hyn në një festë”, e cila na çliron nga barra e ekzistencës: “Lehtësimi që ti dhe unë do të ndjejmë në momentin para vdekjes, kur fati na çliron nga zakoni i trishtë i të qenit diçka dhe nga pesha e gjithësisë (Triada). Imagjinoj që e shoh  teksa e  shqiptoj me atë grimasën e buzëqeshjes dhe braktisjes nga fati, më i verbër se ai”.