Nëse pas vdekjes sime do doni të shkruani biografinë time,
nuk ka asgjë më të thjeshtë.
Ka vetëm dy data – ajo e lindjes dhe ajo e vdekjes.
Të gjitha ditët mes njërës dhe tjetrës janë të miat.
Fernando Pessoa, i lindur në Lisbonë në vitin 1888 dhe i vdekur në vitin 1935, është një nga
figurat letrare më enigmatike dhe më me ndikim të shekullit të 20-të. Ky eksponent i letërsisë
portugeze njihet për introspeksionin e thellë dhe aftësinë për të eksploruar ngjyrimet e shpirtit
njerëzor. Ajo që e bën Pessoan të jashtëzakonshëm është krijimi i tij i heteronimeve, ose alter
egos letrare me identitete, zëra dhe stile të veçanta të të shkruarit. Ndër heteronimet më të
famshme spikasin Alberto Kaeiro, Rikardo Reis, Alvaro de Kampos dhe Bernardo Soares. Secili
ofron një perspektivë unike për jetën, dashurinë, filozofinë dhe gjendjen njerëzore. Gjerësia e
veprës së Fernando Pessoas, e kombinuar me aftësinë për të prekur akordet më të thella të
ekzistencës njerëzore, e bën atë një autor të përjetshëm dhe një burim të pashtershëm frymëzimi
për lexuesit, poetët dhe shkrimtarët në mbarë botën. Trashëgimia e tij jeton përmes fjalëve, të
cilat ftojnë reflektimin dhe soditjen e thelbit të njerëzimit. Ekzistenca e heteronimeve është një
nga tiparet më enigmatike të karakterit të Fernando Pessoas, dëshmi e personalitetit të tij të
shumëfishtë dhe të shumanshëm. Madje, kritikët shkuan deri aty sa e përkufizuan poetin
si “njeriu që nuk ka ekzistuar kurrë”, sepse duket se Pessoa kishte një refuzim të atillë të jetës së
vet, saqë krijoi një sërë biografish paralele: ai dhe gjithë heteronimet e tij dhe në të njëjtën kohë
askush.
Mund të depërtoni në gjithçka. Leximi i klasikëve që nuk flasin për perëndimet e diellit më bëri të
kuptueshme shumë perëndime dielli, me të gjitha ngjyrat e tyre. Ekziston një marrëdhënie midis
kompetencës sintaksore, përmes së cilës dallohet vlera e qenieve, tingujve dhe formave, dhe
aftësisë për të kuptuar kur e kaltra e qiellit është me të vërtetë e gjelbër dhe se sa ekziston e
verdha në blu-të gjelbrën e qiellit. Në fund të fundit është e njëjta gjë – aftësia për të dalluar dhe
subtilizuar. Pa sintaksë nuk ka emocion të qëndrueshëm. Pavdekësia është funksion i
gramatikanëve.
Leximi është të ëndërrosh në duart e të tjerëve. Të lexosh keq dhe me zë, do të thotë të çlirohemi
nga dora që na drejton. Sipërfaqësia në studim është mënyra më e mirë për të lexuar mirë dhe
për të qenë të thellë.