Xhek London – ylli endacak

Ai ishte shëtitës pa para, pirat dhe kërkues ari, u shndërrua në yll letrar – përpara se aventurat e tepruara t’i shkurtonin jetën.

Çfarë mbetet prej nesh pas vdekjes? Si do t’u vejë halli gjithë përpjekjeve, shqetësimeve dhe dashurive tona? Të humbur në udhëtime pa destinacion, ne e ndrydhim veten të mos ngremë të tilla pyetje skandaloze, pasi vetëm mendimi për to i bën përvojat tona jetëshkurtra, bajate, dëshpëruese. Kjo sepse vdekja është e madhe, e frikshme, mizore dhe tmerri i çdo njeriu është se ajo është aq e pangopur, saqë gëlltit me një të kapërdirë gjithë përvojat dhe ndjesitë e ndjera, veçanërisht ato që lidhen me “lumturinë”.

Këtu jeta shndërrohet në një shpërqendrim të gjatë dhe të përhershëm, një sërë angazhimesh dhe projektesh që synojnë të zbutin çdo mendim negativ, t’i tejmbushin ditët për të mos dëgjuar atë gërthitjen e dobët që në momentet e qetësisë dhe heshtjes së zgjatur pëshpërit “Përse po i bën të gjitha këto?”. Megjithatë, koha është një harxhim i paepur i të perceptueshmes dhe ne përherë lejohemi të mbijetojmë vetëm për aq kohë sa forca jonë është në gjendje t’i kundërvihet bërjes. Takimi i fundit mbërrin edhe nëse nuk e keni marrë kurrë në konsideratë dhe rrallëherë mund të shënohet në ditar. Pra, çfarë të bëni? Çfarë qëndrimi duhet të keni ndaj ngjarjes tragjike? Pyes veten se sa dobi mund t’i sjellë njeriut një qëndrim i tillë censurues, por në të njëjtën kohë nuk e di nëse mund të parapëlqehet vërtet qasja e kundërt. Duke medituar mbi kuptimin e ekzistencës, duke u zhytur me dritën tuaj të zbehtë në atë errësirë ​​të dendur dhe të padepërtueshme, vallë çfarë rezultatesh mund të na japë?

Më shumë se një shekull pas vdekjes së tij, Xhek London është po aq i rëndësishëm sa kurrë, edhe nëse jetë të tilla aventureske janë të pakta. “Aventurat e kapitenit Grif” – një libër me histori argëtuese, gjithëpërfshirëse dhe plot aksion, – tregimet e shkurtra përqendrohen në bëmat emocionuese të kapitenit Grif në detet e rrezikshme dhe ekzotike të jugut. Kapiteni Grif takohet me aventurierë, horra, piratë dhe oportunistë, që ndjekin shembullin e paraardhësve kolonialë që shfrytëzonin ishujt dhe burimet e tyre në fillim të shekullit XX. Frymëzuar nga vetë udhëtimi i autorit nëpër detet e jugut, në bordin e varkës “Snark”, këto histori përshkruajnë një pamje shumëngjyrëshe, nganjëherë të tmerrshme, të Paqësorit të largët të jugut. London kishte një imagjinatë jashtëzakonisht pjellore, ishte jashtëzakonisht energjik dhe efikas.