Jeta është një pengesë e përhershme e leximit – Daniel Penak

Shfletimi i një libri, leximi i fjalëve të shtypura në letër është gjithmonë një përvojë unike, diçka ndryshe. Është një mënyrë udhëtimi pa qenë e nevojshme të marrim avionin dhe me kosto shumë të ulët. Citimet rreth leximit na kujtojnë rëndësinë e njohjes së botëve të reja, në zbulimin e këndvështrimeve të ndryshme dhe largpamësisë. Kur e lëmë veten të rrëmbehemi nga mendimet, nga historia e një autori të caktuar, depërtojmë deri në jetën e tij private, por, në të njëjtën kohë, zbulojmë diçka më shumë për vetveten. Sepse çdo libër merr formën e atij që e lexon. Çdo libër ndryshon, ai ndryshon në varësi të atij që e merr në dorë dhe e bën për vete. Për më tepër, e bukura është se ne mund të arrijmë vazhdimisht në të njëjtin destinacion, udhëtimi do të na japë gjithmonë diçka ndryshe, të vërtetë, autentike. Daniel Penak është një autor i sjellshëm, i drejtpërdrejtë, që shkon gjithnjë drejt e në thelb. Dikush që na mëson, në çdo rresht të tijin, se si të përfshihesh në shoqëri dhe si të përballesh me momentet e ndryshme të jetës. Ai ka shkruar për fëmijë, për të rritur, për këdo. Me një nivel mendjemprehtësi dhe stil të veçantë, një mësues në kuptimin e mirë të fjalës, një mjeshtër që ia përçon mendimet e veta ku kujtdo që dëshiron të hyjë në universin e tij.

Gjatë leximit, duhet t’i imagjinosh të gjitha këto… Të lexuarit është një akt krijimi i përhershëm. Pikërisht kur mendon se gjithçka ka mbaruar, aty fillon gjithçka.

Shkruaj sepse jam i uritur […] Unë jam paksa si balena që qëndron gjithë ditën nën ujë, duke u ushqyer me plankton, në rastin tim leksikor, dhe del në sipërfaqe për të vjellë të padëshirueshmen, sepse balena ka një qiellzë të rafinuar. 

Librat komikë janë arti i elipsës. Njëzet faqet e një romani mund të përqendrohen në një tabelë. Nga ana tjetër, ekziston një ngurtësi e caktuar grafike. 

Fakti që librat mund të na e shqetësojnë ndërgjegjen deri në atë masë, sa të lejojnë që bota të shpërbëhet, kjo është e mjaftueshme për të na lënë pa frymë.

E drejta për t’u kthjelluar. Është liria që i lejojmë vetes të marrim një vëllim të rastësishëm nga biblioteka, ta hapim kuturu dhe të kridhemi në të për një çast, pikërisht sepse vetëm atë moment e kemi në dispozicion. Teksa ktheheni për në shtëpi, planifikoni një mister me vrasje të shumta: më besoni, do t’u bëjë mirë për shëndetin.

Koha për të lexuar, si koha për të dashuruar, zgjaton kohën për të jetuar.

Një libër i mirëzgjedhur të shpëton nga çdo gjë, madje edhe nga vetvetja.

Jeta nuk është  një roman, e di… e di. Por vetëm shpirti i romanit mund ta bëjë atë të jetueshme.