“Shkruani, ju lutem” – Dino Buzati

Mjeshtri i penës Dino Buxati shkroi gjithçka: artikuj lajmesh, tregime të shkurtra, librete teatrore, madje edhe poezi. Por cili ishte kuptimi i të shkruarit për Dino Buxatin? Vetë jeta e tij dëshmon për një besim të pashtershëm në fjalën e shkruar, në çfarëdolloj forme që ajo shfaqet apo propozohet. Që fëmijë Buxati tregoi një ndjeshmëri të thellë, çka shumë shpejt e bëri të prekshme përmes shkrimeve dhe pikturave të tij, edhe pse më pak të njohura, por sigurisht të denja. Një rrëfimtar produktiv dhe fitues çmimesh, Buxati e ndërthuri veprimtarinë gazetareske me shkrimin romanesk, herë ekzistencialist e herë surreal, çka i dha çmime të shumta: kryevepra “Shkretëtira e Tartarëve”, konsiderohet nga kritika si një nga “thesaret e letërsisë italiane”.

 

“Shkruani, ju lutem. Qoftë edhe dy rreshta, të paktën, edhe nëse jeni shpirtbrengosur dhe me nerva të cingërisura. Por çdo ditë. Me shpirt ndër dhëmbë, ndoshta ndonjë budallallëk, por shkruaj. Të shkruarit është një nga iluzionet tona më qesharake dhe patetike. Ne besojmë se po bëjmë diçka të rëndësishme, duke përvijuar linja të zeza të përdredhura në letrën e bardhë. Mirëpo, kjo është puna jote, të cilën nuk e ke zgjedhur, por ta ka sjellë fati, kjo është e vetmja derë nga e cila, në mos kurrë, do të mund të gjesh shpëtim. Shkruaj, shkruaj. Fundja, në pirgun e tonelata letrash për t’u hedhur, një rresht mund të ruhet. (Ndoshta).

Për autorin, shkrimi është “shpëtim”. Është sa befasuese, aq edhe shqetësuese që fjalë të tilla janë shkruar nga një shkrimtar i njohur. Por, fundja, ky reflektim shpalos edhe gjenialitetin e Buxatit: vetëm mendjet më të mira mund të kenë një vizion kaq kritik dhe të dhimbshëm për punën e tyre, deri në atë pikë sa t’i përcaktojnë faqet dhe letrat e tyre shkruar me djersë si “tonelata letrash për t’u flakur”. Së fundmi, shkrimtari i vërtetë, sugjeron Buxati mes rreshtave, është pikërisht ky: ai që ka tonelata letrash për të flakur dhe pavarësisht gjithçkaje, çdo ditë, me shpirt ndër dhëmbë, lufton egërsisht me faqen bosh.Të shkruarit paraqitet si vuajtje, po njëherazi edhe streha e fundit, e vetmja rrugëdalje. Autori e përcakton të shkruarin një iluzion qesharak dhe patetik, një pohim therës. Po a nuk është pikërisht ky iluzion, së fundmi, që vazhdon ta udhëheqë shkrimtarin? Përvijojmë linja të zeza të përdredhura në një faqe bosh, me shpresën se do të lëmë një gjurmë, një shenjë, diçka që ekziston dhe do zgjasë më shumë se vetë ne. Në shumicën e shkrimeve, Buxati dëshmon se shpëtimin e përcjell fjala, pasi ai vetë, si shkrimtar, gazetar, mjeshtër i letërsisë, kishte një besim të pashtershëm tek fjalët, ishte i vetëdijshëm se “fjalët janë të rëndësishme”. Për të, të shkruarit ishte një akt besimi, diçka ku ngërthente një lloj pritshmërie. Nuk e dinte se ku do ta shpinin fjalët, por iu dorëzua atyre, ndoshta për këtë arsye faqet e tij letrare, por edhe poezitë, gëlojnë nga ngjarjet e papritura, situata surreale, vizitorë të befasishëm etj. Në brendësi të faqeve është shkrimtari Buxati ai që shfleton veten, duke lexuar brenda shkrimit dhe duke u nisur drejt një vendi tjetër të kërkuar dhe të paarritur, i vetëdijshëm se e vetmja derë nga e cila mund të shpëtohej hapej katërcipërisht vetëm nga shkrimi, pra nga ato gjeste të çuditshme të kryera në mënyrë metodike çdo ditë, duke bërë shenja të zeza në një faqe të bardhë. Përmes atij gjesti të përsëritur, ndonjëherë të dhimbshëm, jeta e përditshme ndriçohet dhe përkthehet në një vizion magjik. Në fund, mund të mbijetojë vetëm një rresht – dhe kjo mjafton – sepse aty ruhet esenca e të shkruarit, ndërsa ka njerëz që jetojnë një jetë të tërë pa e gjetur kurrë atë esencë.