Kur ilustruesi dhe gazetari francez Zhan Bryler shkroi novelën “Heshtja e detit”, në fund të vitit 1941, ai nuk mund ta parashikonte që historia do të bëhej një tekst frymëzues për Rezistencën Franceze. Zhan Bryler, i cili shkroi me emrin Verkor, novela e të cilit “Heshtja e detit”, emocionoi kombin francez dhe ata që ndanë me Francën agoninë e pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore, vdiq në moshën 89-vjeçare.
“Heshtja e detit” rrëfen historinë e një gjermani që e donte Francën dhe për muaj të tërë u përpoq të bindte miqtë e tij francezë për qëllimet e mira të Hitlerit. Ai e kuptoi shumë vonë se ishte mashtruar nga nazistët. Romani u përshëndet gjerësisht si një aktakuzë e fuqishme e asaj që nazistët përfaqësonin vërtet në pushtimin e Francës. Historia e Verkorit, botuar në mënyrë klandestine në Parisin e pushtuar në 1942, është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe duke u bërë, jo pa polemika e kontradikta, një tekst simbol i Rezistencës Evropiane. “Heshtja e detit”, në dukje e qetë, ende zgjon kuriozitet dhe ngre pyetje, në urgjencën e rileximeve që sugjerojnë këndvështrime të reja kërkimore e studimore. Historia paraqet një familje franceze që kundërshton heshtjen ndaj oficerit gjerman që u detyruan të strehonin, duke zbuluar kësisoj “jetën e nënujshme të ndjenjave, dëshirave dhe mendimeve të fshehura që mohojnë dhe luftojnë”. Verkor i fton francezët të refuzojnë pushtimin gjerman, tradhtinë e Petanit dhe kurthet e propagandës që mbronin martesën e dy popujve, ndërkohë që maskonte barbarizmin dhe robërinë. Verkor e mori emrin e penës nga një rajon malor në rrëzë të alpeve franceze. Ai nuk kufizohej në trillime dhe nuk ngurronte të fliste kundër padrejtësisë ngado që e shihte. Në vitin 1957, i ktheu mbrapsht qeverisë franceze medaljen e Legjionit të Nderit në shenjë proteste ndaj të ashtuquajturave “tortura në Algjeri”, një referencë për sjelljen e trupave franceze atje.
Përgjatë gjashtë muajve, ai i viziton mikpritësit thuajse çdo natë teksa ulen pranë zjarrit, duke pranuar heshtjen e tyre, ndërsa ua hap zemrën në monologje për rininë e tij, vokacionin e tij muzikor dhe dashurinë e thellë për kulturën franceze. Një tërheqje, e shprehur vetëm indirekt, zhvillohet midis oficerit dhe mbesës. Vizioni idealist i oficerit për bashkimin midis Gjermanisë dhe Francës – një agim i ri i konceptuar vagëllimthi për Evropën – shkatërrohet kur ai kupton se bashkatdhetarët e tij synojnë jo vetëm ta sundojnë Francën ushtarakisht, por edhe ta shkatërrojnë përgjithmonë. Me një gjest vetëvrasës, ai transferohet në frontin lindor – vetëvrasje duke iu nënshtruar një makinerie ushtarake ndaj së cilës së fundmi nuk është në gjendje të rebelohet.
“Heshtja e detit” duket se synon më tepër të mishërojë vlerat më të rafinuara të një kulture, pasi ato vazhdojnë kundër të gjitha mosmarrëveshjeve në një moment presioni maksimal dhe të pashpresë. Titulli metaforik është përfaqësues i veprës; i lihet lexuesit të reflektojë se deti nuk hesht kurrë. Historia përfundon jo me një thirrje për armë, por me një evokim të heshtjes dhe të ftohtësisë.
Heshtja vazhdoi. Po bëhej gjithnjë e më e rëndë, si mjegulla e mëngjesit. E rëndë dhe e qetë.
Sinqeriteti i kapërcen gjithmonë pengesat.
Kur ndonjëherë ai e linte këtë heshtje të pushtonte dhomën dhe ta mbushte atë deri në skutat më të fshehta si një gaz i rëndë dhe që të bllokon, dukej se ishte ai që ishte më i qetë atje.
Lideri që nuk gëzon dashurinë e popullit të vet, është një model i mjerueshëm.
Imagjinata, e pafuqishme në gjendje zgjimi, merr një fuqi të mrekullueshme në gjumë.
Por çfarë është lumturia? Së pari do të duhej të përkufizohe, dhe përkufizimi i lumturisë është edhe më pak i qartë sesa përkufizimi i përparimit.
Shqetësimi gjithmonë e ekzagjeron të vërtetën.