Viktor Hygo, njeriu që jeton

Viktor Hygo është një Himalaje shumëkreshpash, tejet të pjerrëta, pothuajse të paarritshme nga pasardhësit, një shkrimtar shumëplanësh. Një monument i pasur dhe i bollshëm letrar i shekullit të 19-të. Lindur në Besançon në fillim të shekullit të 19-të, vdiq në vitin 1885 në Paris, epokën e tij e kaloi duke lënë gjurmët e veta, si dëshmitar dhe aktor i evolucionit të tij, si në nivelin letrar, politik, ashtu edhe atë shoqëror. Një mjeshtëri e gjuhës së bukur dhe një vrull që mund të shqetësojë disa. Kur u pyet se cili, sipas tij, ishte poeti më i madh francez, Andre Zhid u përgjigj: “Viktor Hygo, mjerisht!”. Sigurisht, një shaka, por e shprehur. Duke respektuar rregullat klasike të prozodisë dhe metrit, atij i pëlqen të luajë me gjuhën – madje edhe ta troshit atë. Ai mburret me kënaqësi për këtë, për më tepër: “I kam vendosur një kësulë të kuqe fjalorit të vjetër”. Te romancieri gjenden të gjitha cilësitë e poetit. Kuazimodo dhe Esmeralda, po aq sa Kozeta, Gavroshi apo Zhan Valzhani, mbeten personazhe prekëse. Ato vijnë nga njerëzit e thjeshtë dhe gjithashtu bartin një mesazh social, madje politik, që dëshmon për evolucionin e krijuesit të tyre. I zgjedhur në 1849 në Asamblenë Legjislative, ai u bë mbrojtësi i paklasifikueshëm i lirisë në të gjitha fushat, duke luftuar, veçanërisht, kundër ligjit Falloux që vendosi kontrollin e kishës mbi arsimin. Idetë që ai mbron ndonjëherë e bëjnë atë një pionier. Ai lufton shkëlqyeshëm dënimin me vdekje në romanin e tij “Dita e fundit e një të dënuari”. I tillë ishte Hugo. Njëherazi aktivist grindavec dhe ëndërrimtar eterik, i etur për të ngritur pyetje thelbësore dhe ekzistenciale.

Përbindësh i shenjtëruar  – shprehje për të kualifikuar dikë, talentet e të cilit janë shumë më të larta se njerëzit e zakonshëm. Ai ishte një poet, një romancier, një dramaturg dhe një politikan, i angazhuar për të mbrojtur më të varfërit. I lidhur me paqen dhe lirinë, shumë i ndjeshëm ndaj mjerimit njerëzor, ai foli në favor të shumë përparimeve shoqërore si drejtësia sociale, kundërshtoi dënimin me vdekje, luftën për lirinë e shtypit dhe mbështeti idenë e Republikës dhe të një Evrope të bashkuar.