Nëse rrugët e Zotit janë misterioze, po aq janë edhe udhët e historisë. Të rastësishme apo të paracaktuara, në momentet kur ndeshen me historinë, fatet e njerëzve kryqëzohen dhe bigëzohen. Sipas gjase, Lev Tosloi dhe Mahatma Gandi ishin të destinuar të kryqëzonin rrugët e njërit-tjetrit në kaosin e historisë së trazuar të shekullit XX. Dy nga mendjet më të mëdha në historinë njerëzore – Mahatma Gandi dhe Lev Tolstoi nuk u takuan kurrë personalisht. Mendimtari indian kishte një korrespondencë aktive me Tolstoin. Ata shkëmbyen letra përgjatë një viti, mirëpo rëndësia e komunikimit të tyre nuk mund të nënvlerësohet. Të lindur në vende të ndryshme dhe në periudha paksa të ndryshme, ata ishin përfaqësues të brezave të ndryshëm. Gandi i ri dhe ende i panjohur kërkoi urtësi në veprat e Tolstoit tashmë të famshëm. Fillimisht, Gandi i shkroi Tolstoit duke i thënë, se librat e tij kishin lënë gjurmë të thella në botëkuptimin dhe filozofinë e tij personale. Gjithashtu, ai i dërgoi edhe përkthimet e veprave të tij: “…është e panevojshme të them se do të vlerësoj kritikën tuaj ndaj të shkruarit”. Në letrat e tij, ai më vonë i referohej vetes si “ndjekësi i përulur yti”. Doktrina e Gandit për rezistencën paqësore dhe jo të dhunshme ishte pjesërisht e frymëzuar nga Tolstoi dhe ideja e tij për “mosrezistencën ndaj së keqes me forcë”. Në autobiografinë e tij, Gandi pranon se hera e parë që lexoi “Mbretëria e Zotit është brenda teje” të Tolstoit e kishte “pushtuar” tërësisht, saqë përpara mendimit të pavarur, moralit të thellë dhe vërtetësisë së këtij libri, të gjithë librat që më dhanë… dukeshin se ishin të parëndësishëm”. Në shkrimet e tij, Gandi e përmendte shpesh Tolstoin si një “autoritet moral suprem”. Në ditët e fundit, mendimtari rus i shkroi Gandit: “Sa më gjatë që jetoj, veçanërisht tani kur e ndiej qartë afrimin e vdekjes, aq më shumë ndihem i shtyrë të shpreh atë që ndiej më fort se çdo gjë tjetër, atë që sipas meje është me rëndësi të jashtëzakonshme, domethënë atë që ne e quajmë heqje dorë nga çdo lloj kundërshtimi me forcë, që në të vërtetë do të thotë thjesht doktrina e ligjit të dashurisë të pazvetënuar nga ndërlikimet.[…] Çdo përdorim i forcës është i papajtueshëm me dashurinë”.