Përjetësia – ide magjiplotë

Përjetësia është një temë magjepsëse në letërsi, dhe jo më kot. Kush nuk e ka çuar nëpër mend, qoftë edhe një herë të vetme, se si ta sfidojë vdekjen? Sigurisht, Oskar Uajlld e bëri në 1890, kur shkroi “Portreti i Dorian Grejit”; historia e një njeriu që s’do plaket kurrë, përderisa portreti i tij vijon të jetë përherë i ri. Mirëpo, një fantazi e tillë është më e ndërlikuar nga sa duket. Të sfidosh vdekjen, do të thotë një përjetësi në këtë tokë të rrezikshme. Nuk duam të vdesim, por kjo s’do të thotë se duam të jetojmë përjetësisht. Tema rishfaqet në letërsinë moderne, ndërsa bashkëkohorët eksplorojnë pyetjet që lindin në lidhje me dëshirën njerëzore për përjetësi. Ja, disa nga penat botërore që e kanë trajtuar këtë temë:

“Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm” nga Simonë dë Bovuar

Simonë dë Bovuar e botoi romanin fill pas luftës. Ngjarjet dramatike të Foskës, njeriu i destinuar të jetë i përjetshëm, janë gurthemeli i “Të gjithë njerëzit janë të vdekshëm”. Jeta e protagonistit shpaloset në rrjedhën e pakufishme të kohës, përkrah burrave dhe grave kositur (me përpikmëri) nga vdekja. Një fillim përherë nga e para, një përsëritje e paepur që të çon drejt zhuritjes së shpirtit. Ajo than, shekull pas shekulli, etjen e saj të madhe.

“Pavdekësia” nga Milan Kundera

Një roman i botuar në vitin 1990, me shtatë pjesë në të cilat shkrimtari trajton tema themelore në jetën e njeriut. Tema e pavdekësisë trajtohet në të dytin. Një pavdekësi e lidhur vetëm me mbijetesën në kujtesë. Dëshira e njeriut për të jetuar përjetësisht në kujtesën e të tjerëve.

“Klubi i vetëvrasjes” nga Rachel Heng

Libri tregon historinë e Leas, një shekullore që iu nënshtrohet diktateve të mjekësisë. Dieta të mirëkalibruara, sjellje të duhura dhe të kontrolluara, të cilat e zgjatojnë disa dekada jetën e njeriut, janë rregulli që duhet ndjekur me pedantizëm. Gruaja thuajse po hyn në një provë të re shkencore, që madje mund ta shndërrojë atë në një qenie të përjetshme. Megjithatë, një ngjarje e papritur do të ndryshojë gjithçka, duke përmbysur rrënjësisht vizionin dhe qëndrimin e Leas ndaj jetës dhe mjekësisë.

“Të pavdekshmit” nga Chloe Benjamin

Romani trajton një dilemë shekullore, një dilemë që ka përballur përherë fatin kundër vullnetit të lirë. Historitë e katër vëllezërve na lejojnë ta zbërthejmë shumë mirë temën. Takimi i kuartetit me një shikues të fuqishëm, në fakt do të sjellë një duel të vërtetë me jetën, në dëshirën për t’i shpëtuar fatit tashmë të shkruar në mënyrë të pashmangshme.

“Jetë pas jete” nga Kate Atkinson

Ursula, protagonistja e romanit të Kate Atkinson jeton shumë jetë. Ajo lind dhe vdes pa kujtuar asgjë, duke i shpëtuar lodhjes së përjetësisë. Subjekte gjithmonë të ndryshme, të cilat, në njëfarë mënyre, na kujtojnë filmin “Dyer të rrëshqitshme”.

“Si ta ndalojmë kohën” nga Matt Haig

Në fakt, pavdekësia (pavdekësia e pjesshme, duke qenë se nuk i kalon 900-vjet jetë) përfaqëson një mallkim. “Si ta ndalojmë kohën” na tregon për jetën e Tom Hazard, anëtar i Albatros, atë pjesë të njerëzimit të destinuar të jetojnë në përjetësi. Krahas tyre, duke vepruar si kundërpeshë, janë kalimtarët, ekzistenca e të cilëve është përkundrazi e shkurtër si ajo e një jetëshkurtereje.