Të heshtësh, të heshtësh, është aspirata e madhe që askush nuk e përmbush edhe pas vdekjes.
Shkrimtari dhe gazetari spanjoll Javier Marias pëlqente ironinë, cigaren, spiunët. E urrente puritanizmin dhe vrazhdësinë. Subjektet fshehin, në baraspeshë, faktet e përmbushura dhe ato të humbura, aktin dhe potencialin, kushtëzimet kundërfaktuale dhe pohimin e reales. Çfarë është letërsia dhe çfarë është jeta? Kjo është një nga pyetjet, që përsëritet në gjithë librat e Javier Marias, si një konstante. Sipas tij, qëllimi i letërsisë është të përmbushë nevojën që diçka të tregohet plotësisht, pa ia ndryshuar absolutisht fytyrën realiteti. Magjepsja e letërsisë qëndronte në aftësinë për të na paraqitur një version të padiskutueshëm të fakteve, duke sfiduar panjohshmërinë e realitetit të dukshëm. Objekti i shkrimit ishte gjithmonë më i padeshifrueshëm: kontradikta, paradoksi, paqartësia, dallimi i hollë mes dëshirës dhe dëshirimit, dëshira që merr jetë dhe realizohet vetëm në distancë. Për këtë arsye, romanet e Marias janë të mbushur me reflektime psikologjike dhe sociale, digresione dhe shpesh zhvillohen në një sërë nëntitujsh dytësorë, të cilët në dukje devijojnë nga subjekti kryesor, por në realitet përfaqësojnë zhvillimin dhe plotësimin e tij të nevojshëm. Autori e përkufizon romanin si një zhanër “hibrid dhe të zhdërvjellët”, me të cilin jemi mësuar prej vitit 1605, kur u botua pjesa e parë e Don Kishotit. Përse vazhdojmë të lexojmë romane, t’i vlerësojmë dhe t’i marrim seriozisht në një botë gjithnjë e më naive? “Ne njerëzit ndoshta përbëhemi edhe nga ajo që jemi dhe nga ajo që kemi qenë, edhe nga ajo që është e verifikueshme, e matshme dhe e kujtueshme, si dhe nga ajo që është e pasigurt, e pavendosur dhe e ngjyruar, ndoshta jemi bërë në masë të barabartë me atë që ka qenë dhe nga ajo që mund të kishim qenë”.
Autori beson romani është zhanri i privilegjuar i trillimit. Një nga pikat e forta të rrëfimit të Marias, është të nxjerrë në pah mosnjohshmërinë e realitetit: gjithçka, vëren shkrimtari, në fund të fundit zbret në këndvështrimin tonë, në subjektivitetin tonë që nuk është kurrë i pjesshëm apo objektiv. Edhe perceptimi dhe kujtesa jonë për njerëzit është e destinuar të ndryshojë me kalimin e kohës, madje mund të zbehet. “Të jetosh në mashtrim është e lehtë dhe kjo është gjendja jonë natyrore”. Mirëpo, e veçanta e Marias qëndron në aftësinë për të na tërhequr në një sërë ndjekjesh, gjurmime, të dhënash jo përfundimtare dhe, mbi të gjitha, të pabesa. I gjithë romani bazohet në vetëdijen se realiteti ku jetojmë dhe jemi zhytur është, në të vërtetë, iluzion: çfarë është e vërtetë dhe çfarë është trillim? Çfarë është letërsia dhe çfarë është jeta? Javier Marias na tërheq në misterin e padepërtueshëm të zemrës njerëzore me një periudhë të gjatë, një shkrim i ngadaltë që vazhdimisht sillet rreth vetvetes. Një shkrim që lufton gjithmonë, stoikisht, kundër zbehjes së të jetuarit. Pothuajse nga asgjë nuk mbetet gjurmë, mendimet dhe gjestet kalimtare, projektet dhe dëshirat, dyshimi i fshehtë, ëndrrat, mizoria dhe fyerja, të thënat dhe të dëgjuarat, më pas të mohuara ose të keqkuptuara ose të keqinterpretuara, premtimet e bëra dhe jo mbahen parasysh, as nga ata të cilëve u janë bërë, çdo gjë harrohet apo shuhet. Marias flet gjithmonë për një realitet, të pranishëm dhe të prekshëm, i cili përvidhet gjithsesi në çastin kur ndodh. Pra, letërsia është një luftë kundër papërcaktueshmërisë dhe mungesës së kuptimit të jetës.
Ai vëren se përmes tregimit, një fakt nuk i përket më vetëm rrëfimtarit, por bëhet një trashëgimi e përbashkët, duke lidhur transmetuesin dhe dëgjuesin, shkrimtarin dhe audiencën. Nëpërmjet kodifikimit të gjuhës garantohet qëndrueshmëria e kujtimeve tona; fjalët e tejkalojnë kontaktin fizik, njerëzor, ato bëhen diçka superiore, një mundësi e përjetësimit të çastit. Vetëm ai që tregon, sipas Javier Marias, fiton të drejtën për të shpjeguar realitetin përmes një këndvështrimi që tregon se gjithçka mund të kuptohet: kjo është magjia e letërsisë, e cila arrin të na bëjë të shohim qartë në misterin më të pakuptueshëm, mund të na bëjë të falim edhe gjërat më famëkeqe dhe na lejon të vazhdojmë të jetojmë, sepse, përmes tregimit, jemi asimiluar dhe kuptuar. Nëpërmjet romaneve të tij, Javier Marias ka hapur dritaret e mundësisë për ne, duke na treguar një botë të mundshme, të gjitha botët e mundshme nga të cilat përbëhet edhe jeta jonë, e përbërë, në masë të barabartë, nga ajo që mund të kishte qenë dhe mund të jetë.