Fransua Moriak, romancieri katolik që fitoi Nobelin

Gazetari dhe shkrimtari Fransua Moriak, çmimi “Nobel” për letërsinë në vitin 1952, vdiq në Paris më 1 shtator 1970. Katolik i zjarrtë, besimi i fortë fetar karakterizonte gjithë shkrimet e tij, që rrëfenin luftën e njeriut kundër pasioneve dhe dobësive të mishit. Besimi i tij shkëlqen në të gjitha veprat, madje tema më e përsëritur është lufta e njeriut kundër mëkatit, aq sa guxoi të shkruante “Jeta e Jezusit” (1936), ku përsërit rëndësinë e Krishtit si një figurë kyçe në tragjedinë njerëzore. Nobeli iu dha për aftësinë për të depërtuar në dramën e jetës njerëzore “në thellësi të shpirtit” dhe “intensitet artistik”. Mirëpo i tiji nuk ishte një rrëfim ngushëllues, përkundrazi personazhet e tij janë të pështjelluar, mëkatarë të pa shëlbuar, njëlloj si protagonistja e famshme Terezë Deskeiru. Për më tepër, vetë Jezusi u paraqit si “një krijesë e lodhur nga vrapimi, një dre i rraskapitur, që endet nga streha në strehë”.

Në këto përshkrime, mes rreshtave, arrijmë të përvijojmë portretin letrar të autorit. Për të takuar modernitetin shkatërrues të rrëfimit të Moriakut, duhet të lexoni kryeveprën “Terezë Deskeiru”. Protagonistja, një grua e akuzuar për tentativë vrasjeje të bashkëshortit. Rrëfimi hapet në gjyqin e tij. Kur ajo largohet nga gjykata, me një fytyrë “të egër dhe pa shprehje”, e lirë, por jo e çliruar nga ndërgjegjja e saj, Terezë i rikthehet së kaluarës. Ajo është një grua inteligjente, e kulturuar dhe e arsimuar, që ka studiuar në shkollat ​​më të mira në Bordo. Mirëpo detyrohet nga i ati të martohet me një djalë fshatar. Tereza është një personazh kompleks dhe jashtëzakonisht modern, shpesh i krahasuar me zonjën Bovari të Floberit. Moriaku i kushtoi edhe një roman të dytë figurës së Terezë Deskeirusë “Fundi i natës” (1935) dhe një tregim të shkurtër “Engjëjt e zinj”. Ishte një personazh i rrënjosur thellë në shkrimtarin dhe në imagjinatën e tij – ai ndjente një dashuri të veçantë për këtë grua të ndrydhur nga mjedisi borgjez dhe provincial, e dënuar për një jetë që ajo nuk e kishte zgjedhur vetë. Një personazh që i kishte mbetur në kujtesë me kalimin e kohës. Ai kritikon botën e zymtë borgjeze në emër të besimit të krishterë të jetuar, por nuk ngurron të kundërshtojë heqjen dorë (keqkuptimin) të krishterë me impulsin instinktiv për një jetë më të plotë. Krijimtaria e Moriakut është e pasur dhe e larmishme. Terezë Deskeirusë, gruaja inteligjente, e rafinuar, që i do librat, por në të njëjtën kohë përshkruhet e dykuptimtë, e vetmuar dhe e shqetësuar. Moriak depërton thellë në dramën e së keqes shpirtërore të protagonistes, në vetminë e saj të jashtëzakonshme dhe zbrazëtinë e shpirtit, ai nuk e dënon atë, por e paraqet të denjë për keqardhje, pa ia shfajësuar gabimet. Në të vërtetë, ai e imagjinon atë në një rrugë të etur për t’u zhytur mes njerëzve dhe për të gjetur ndihmë për të filluar nga e para.

…Tereza i flet me zemër asaj që s’është më: mirë, do të jetonte, por si një kufomë në duar të atyre që e urrenin. Kishte dashur të shihte ç’kishte përtej, por po hiqte dorë…