E lindur në Paris më 3 shkurt 1909, ajo jetoi një jetë plot suksese letrare, por edhe ngjarje dramatike. E famshme për largimin nga profesioni i mësuesisë për të përjetuar nga afër kushtet e punëtorëve dhe për pjesëmarrjen aktive në luftën partizane, Simone Weil u nda nga jeta në moshën 34-vjeçare. Veprat e saj prekin sfera të ndryshme të mendimit, duke filluar nga etika te filozofia politike, nga metafizika te estetika, e deri te krijimtaria poetike.
Merrte pjesë rregullisht në ceremonitë fetare. Recitonte çdo ditë “Ati ynë” në greqisht, por vendosi të qëndronte gjithmonë në prag të kishës katolike, pa kërkuar kurrë pagëzimin, duke jetuar në kërkimin e misterit të Zotit jashtë kufijve të rrëfimit. Në thelb, rruga që ajo zgjodhi për vete ishte unike: “Të jesh e krishterë jashtë kishës”. Shkrimtare, filozofe, mistike, intelektuale, ka disa atribute që i referohen personit të saj, shenjë e një personaliteti të shumëanshëm dhe të gjithanshëm. Në prag, ose jashtë kishës katolike, ajo qëndroi atje deri në fund të jetës. Si për të konfirmuar se donte të qëndronte e ndarë nga bota, ajo e la botën të zbulonte shkrimet e saj vetëm pasi të kishte vdekur. Vdiq në sanatoriumin “Ashford”, më 24 gusht 1943, e dobësuar edhe për shkak të varfërisë që përqafoi në solidaritet me bashkëqytetarët e shtypur nga lufta dhe shtypja naziste.
Kësaj shtypjeje i dedikoi edhe pjesën më të madhe të përpjekjeve intelektuale. Një mistike në prag, do ta përcaktonte shumëkush. Dhe në fakt ky prag ishte kuptimi më i thellë i mendimit të saj. Weil e donte Krishtin e Mundimeve më shumë sesa historizimin e tij në komunitetin kishtar. E goditën fjalët e profetit Isaia: “I fyer, i keqtrajtuar, nuk e hapi gojën”. Dhe përsëri: “Si një qengj i çuar në thertore, si një dele e heshtur para qethësve nuk e hapi gojën”. Në “Letër një besimtari” shkruan: “Kur lexoj katekizmin e Këshillit të Trentit, më duket se nuk kam asgjë të përbashkët me fenë që ekspozohet atje. Kur lexoj Dhiatën e Re, mistikët, liturgjinë, kur shoh meshën duke u kremtuar, ndiej një lloj sigurie se ky besim është i imi, ose më saktë do të ishte pa distancën që krijon papërsosmëria ime mes tij dhe meje. Është një situatë e dhimbshme shpirtërore. Do të doja ta bëja jo më pak të dhimbshme, por më të qartë. Në qartësi, çdo dënim është i pranueshëm”.
Sepse është një udhëtim emocionues nëpër antikitet-heronjtë e Homerit, Greqia klasike, krishterimi heretik – në kërkim të përgjigjeve themelore për jetën tonë. Sepse tregon për dhunën e atyre që duan të ndihen gjithmonë në anën e së drejtës, të së mirës, të së vërtetës.
Simone Weil është një autore e parezistueshme, një shembull unik i qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë.