Shkrimtarët që nuk u pëlqen të shkruajnë?

Flitet shpesh për procesin krijues të të shkruarit, durimin që duhet për të shkruar, punën e përditshme pas librave. Megjithatë, në mënyrë paradoksale, ka edhe shkrimtarë që nuk u pëlqen të shkruajnë. T’i dedikohesh letërsisë është po ashtu e frikshme, ndoshta zhgënjyese, ndonjëherë edhe rraskapitëse. Ndodh të qëndrosh palëvizur përpara faqes klasike të zbrazur ose të mos gjesh fjalët e duhura për t’i vënë në gojën e një personazhi. Ose, përsëri, të refuzohen nga botuesit për atë që dikush e konsideron si një punë të mirë. Situata që nuk u ndodhin vetëm autorëve debutues, por edhe shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë universale. Aq shumë, saqë disa prej tyre bëheshin ogurzinj, kur u duhej të flisnin për punën e tyre. Gjithsesi, është e vërtetë që disa shkrimtarë kishin një marrëdhënie dashuri/urrejtjeje me të shkruarin.

Kafka

Franc Kafka nuk ishte kurrë i kënaqur me rezultatin e punës së vet. Ishte kaq i pakënaqur, sa urdhëroi mikun e tij, Maks Brodi, t’ia digjte të gjitha shkrimet pas vdekjes. Gjë që Brodi nuk e bëri, fat për ne. Çfarë ishte të shkruarit për Kafkën? “Të shkruarit është vetmi absolute, kredhja në humnerën e ftohtë të vetvetes”. Me pak fjalë, një fjali që nuk është tamam inkurajuese për shkrimtarin. Por është gjithashtu e sigurt se diçka e fortë e shtyu Kafkën të shkruante deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Vonnegut

Kurt Vonnegut është një tjetër shkrimtar interesant, me një sens të veçantë humori dhe ironie. Nuk qe kurrë nga ata që t’i nxiste të tjerët të shkruanin, ndonëse për këtë art foli disa herë në jetën e tij. “Ndihem si një qenie pa krahë e këmbë, me laps në gojë”: kështu e shihte veten Vonnegut në çastet kur shkruante.

Xhejms Xhojs

Ç’të themi për Xhejms Xhojsin? Ai që kujdesej për gjuhën si pak të tjerë dhe përdorte lojëra të përkryera fjalësh, një herë tha: “Të shkruash në anglisht është tortura më e zgjuar e studiuar ndonjëherë për mëkatet e kryera në jetët e mëparshme”. Si të gjithë shkrimtarët, ai jepte këshilla se si të shkruante, por herë pas here dilte me këto deklarata.

Xirxhinia Ullf

Virxhinia Ullf foli shumë për mënyrën e të shkruarit, por ishte edhe një kritike që fliste hidhur. Madje, na ka lënë këtë fjali: “Sepse e keqja e leximit, sapo pushton organizmin, e dobëson aq shumë, sa e bën të bjerë lehtësisht pre e plagës tjetër, që fshihet në bojë dhe që mbytet në stilolaps. I pafati zë e shkruan”.

John Dos Passos

Së fundi, një frazë lapidare e të madhit John Dos Passos: “Nëse do të kishte një ferr të veçantë për shkrimtarët, ai do të konsistonte në soditjen e detyruar të veprave të tyre”.