Dashuria tragjike e Orfeut dhe Euridikës kanë frymëzuar poetë, shkrimtarë dhe artistë për shekuj me radhë, që nga koha e Virgjilit dhe Ovidit. Në brendësi të panoramës së gjerë të legjendave dhe miteve të përçuara ndër shekuj, disa janë veças të aftë për të pushtuar shpirtin njerëzor. Midis këtyre historive është sigurisht historia prekëse e Orfeut dhe Euridikës, dy të dashuruarit e ndarë nga vdekja. Forca e saj mund të qëndrojë edhe në madhështinë e dashurisë së një poeti të ri për të shoqen, e cila e shtyn të bëjë një veprim të pamundur vetëm për ta rikthyer atë. Një arsye tjetër për pavdekësinë e kësaj historie mund të gjendej në epilogun e saj tragjik. E sigurt është, se gjatë shekujve miti antik i Orfeut dhe Euridikës ka qenë në qendër të veprave të shumë autorëve, nga poetët latinë Ovidi dhe Virgjili deri tek artistët dhe shkrimtarët bashkëkohorë si Çezare Paveze, Italo Kalvino dhe Salman Rushdie, të cilët e kanë riinterpretuar këtë histori nga këndvështrime të reja.
Orfeu, djali i sundimtarit trak Eagro dhe i muzës Kaliop, përshkruhet si këngëtar dhe poet i talentuar, i aftë të magjepsi natyrën dhe kafshët falë muzikës melodioze që nxjerr nga lira e tij. Pas vdekjes së të shoqes, dhimbja e të riut është e pamasë, aq sa ai braktis territoret e banuara nga njerëz të vdekshëm dhe kalon lumin Stige, përtej të cilit shtrihet bota e nëndheshme, e cila në imagjinatën greko-latine cilësohet si një tokë e populluar nga hijet. Pasi kalon me traget nga Karoni përtej lumit skëterrë, poeti e gjen veten para sundimtarëve të mbretërisë së të vdekurve, Hades dhe Persefonës. Kërkesa e kantorit, për të sjellë në jetë një të n djerë, është e pazakontë, po aq e jashtëzakonshme është përmbushja e dëshirës së tij. Në fakt, Orfeu arron të prekë Hadesin, Persefonën dhe gjithë shpirtrat e pranishëm në botën e nëndheshme, duke u rrëfyer dashurinë për Euridikën dhe vuajtjet që shoqëruan humbjen e saj. Ovidi citon: “Do të doja të kisha duruar dhe nuk e mohoj që u përpoqa: fitoi Dashuria! (…) Për këto vende të frikshme, për këtë humnerë të pamasë, për heshtjet e kësaj mbretërie të pamasë, ju lutemi endeni edhe njëherë fatin e këputur para kohe të Euridikës!”. I riu fiton mundësinë të përqafojë përsëri të dashurën, por me një kusht: të mos e kthejë kokën pas për ta parë deri në mbretërinë e të gjallëve. Në udhëtimin e gjatë të kthimit, pothuajse pasi kishte arritur në portat e nëntokës, gjithë mundi i Orfeut shkon dëm: këngëtari, sipas Virgjilit “i mposhtur në shpirtin e tij”, ndërsa për Ovidin “nga frika se ajo nuk do ta ndiqte” kthehet të shikojë Euridikën. Një hap larg fundit të të gjitha mundimeve, pakti prishet: tundimi ishte shumë i fortë. Nimfa detyrohet të kthehet menjëherë në mbretërinë e të vdekurve, duke e lënë të shoqin edhe më të dëshpëruar që po e humbte për të dytën herë. Megjithatë, këtë herë fundi i përgjakshëm i Orfeut përfundon më i ëmbël, pasi shpirti i tij, pasi zbret në botën e nëndheshme, gjen Euridikën e tij të dashur, e cila tani më në fund mund të përqafohet përsëri. Ovidi i përshkruan kështu dy të dashuruarit “tani ata ecin bashkë: herë pranë njëri-tjetrit, herë ajo përpara dhe ai prapa; herë të tjera është Orfeu që i paraprin asaj dhe, tani pa frikë, kthehet të shikojë Euridikën e tij”.