“Tonio Krëgeri” – besimi tek Tomas Man

Të ndiesh si të gëlojnë përbrenda forca mrekullisht lozonjare e melankolike dhe njëherësh të dish se ata drejt të cilëve të shtyn malli yt i zjarrtë, ngelen ndaj tyre të ftohtë e mospërfillës, kjo ta brengos pa masë shpirtin.

Nëse për disa autorë, pasiviteti përbën një formë revolte kundër kultit të së dobishmes në shoqëri, ose një mënyrë për t’u çliruar nga ankthi i ekzistencës, për Tomas Manin është një asketizëm i vërtetë që poeti duhet të ndjekë për t’u shndërruar në një artist autentik. Çdo herë, veprimi zhvillohet sa jashtë kohe, po aq edhe i mbrojtur nga rrethanat. Personazhet kryesore janë gjithmonë unikë, të ndryshëm nga qeniet e tjera njerëzore. Në përgjithësi, kemi të bëjmë me artistë që kënaqen pas një vetmie fatale. Përpos gjithçkaje, Tomas Mani ngre pyetjen e vendit të artistit në shoqëri. Çfarë e justifikon, në një farë mënyre, këtë margjinalitet pothuajse të pohuar, që është edhe një bast mbi ekzistencën? I riu Tonio Krëgeri, nxënës mediokër dhe i shkujdesur, pret shokun, Hansin, me të cilin është i dashuruar, të bëjë një shëtitje. Hans është e kundërta e Tonios, moralisht dhe fizikisht. Ndërsa Hansin e duan të gjithë, Tonio shfaqet i tërhequr në vetvete, gjithmonë i trishtuar dhe “neglizhent, i pazgjidhshëm, i preokupuar për gjëra për të cilat askush nuk mendon” . Kjo sepse Tonio dëshiron të bëhet poet. Madje, ka filluar tashmë hedhë shënime në fletore.

Romani fokusohet në periudha të shkurtra në jetën e Tonio Krëgerit. E shohim teksa bëhet burrë, duke i qëndruar besnik idealit të parë. Ai nuk do të devijojë nga profesioni, edhe kur bie në dashuri me bjonden Ingeborg, antiteza e përsosur e pasivitetit të tij. Tonio Krëgeri kërkon zgjimin dhe Tomas Man shpenzon faqe të tëra, duke shpjeguar këtë kërkim shpirtëror. “Tonio Krëgeri” është më shumë se një roman, ai është një profesion besimi. Man këmbëngul tek natyra e punës, ku angazhohet heroi i tij poet. Si të thuash, është më tepër një kundërpunë, e cila në thelb është ndryshe nga aktiviteti profesional i shumicës së njerëzve që punojnë për të mbijetuar. “Ai nuk ka punuar si dikush që punon për bukën e gojës, por si dikush që nuk dëshiron të bëjë gjë tjetër veçse të punojë” – një formulë jashtëzakonisht paradoksale, e cila qartëson natyrën e punës poetike, pra edhe artistike. Më tej, saktëson: “Letërsia nuk është profesion, por mallkim, ta dini mirë”. Sipas nobelistit, largohemi nga sfera e normalitetit dhe hyjmë në një lloj plogështie asociale. Romancieri e përshkruan në mënyrë të admirueshme krizën që po kalon protagonisti, deri në atë “neveri të njohurive” që e bën të identifikohet me personazhin e Hamletit. Kësisoj, Man lajmëron disi avangardën surrealiste, e cila do të lindë së shpejti në Francë. Në fund, Tonio Krëgeri sikur pajtohet me fatin e tij dhe niset drejt Danimarkës, ku do të gjejë një fillim qetësie. Para se të largohej, shoqja e tij Lisaveta Ivanovna i kishte thënë se thellë brenda tij ishte vetëm “një borgjez që kishte humbur rrugën”.  Përmes Tonio Krëgerit në bisedë me piktoren ruse Lisaveta Ivanova, bën shprehimisht premtime për të ardhmen, për veprat madhore që do të shkruajë. Përsa i përket artit, kjo novelë nuk është një premtim, por arritje e përsosurisë.

“Ajo ç’kam bërë deri tani s’është gjë, është pakogjë, pothuajse hiçgjë. Kam për të bërë gjëra më të mira, Lisaveta – ky është një premtim. Tani që po ju shkruaj, mërmërima e detit vjen lart deri tek unë dhe unë mbyll sytë. E zhys vështrimin në një botë që s’ka lindur ende, një botë që është ende e skicuar, që pret të rregullohet, të marrë formë; shoh një turmë të lëvizshme hijesh

njerëzore, që ma bëjnë me shenjë të shkoj e t’i çliroj, hije tragjike e hije qesharake si dhe hije të tjera që janë edhe të parat, edhe të dytat bashkë – këto të fundit i dua shumë. Por dashuria ime më e thellë e më e fshehtë u përket atyre që kanë flokë të verdhë e sy bojë qielli, njerëzve ngjyrëçelët e që jetojnë jetën, njerëzve të lumtur, të dashur e të rëndomtë. Mos e qortoni këtë dashuri, Lisaveta, se është e mirë e pjellore. Ajo ka brenda mall dhe pak zili melankolike, pakëz përbuzje dhe shumë lumturi të qashtër”