Teksa rikthehet në vendlindje, pas vitesh të tëra shërbimi në ushtri, duhet t’i vrasë apo jo një i ri vrasësit e të atit? Pas kësaj intrige të paharrueshme dhe morale, që vë në dyshim hakmarrjen me keqdashje, organizohen komplote familjare dhe romantike. Nëse dëshironi të zbuloni, së bashku me detin dhe vendet, edhe zemrën e thellë të ishullit korsikan, do të gjeni gjithçka të nevojshme në “Kolomba” nga Prosper Merimeja. Mos u gënjeni nga fakti që është një novelë, sepse do çdo faqe do t’ju zhytë në një atmosferë të caktuar korsike më shumë se një guidë turistike. Nëse më pas merrni rrugën që të çon nga Bastia në Ajaccio, duke kaluar nëpër pyllin e Vizavonën, mjafton të mbyllësh sytë, për ta gjetur veten në fillim të shekullit XIX, dhe përjetoni historinë aventureske, të dashurisë dhe vdekjes, të togerit të pashëm korsikan Ors Antonio della Rebbia me zonjën Mis Lidia, një vajzë e bukur dhe krenare korsikane, paksa e egër, por me shpirt të dhembshujr… Libri flet për dashurinë, hakmarrjen, nderin, familjen, thikat, shenjat e kryqit, banditët kontrabandistë, baladat dhe komedinë hyjnore…
Merimeja, një shkrimtar agnostik, që nuk u pagëzua kurrë, i ushqyer me Volterin, enciklopedistët dhe ideologët, duke rivalizuar mikun e tij Stendal në sarkazëm kundër kishës, priftërinjve dhe të gjitha feve, shfaqi mungesë besimi, një materializëm të guximshëm, një besim kryelartë në shkencë dhe arsye. Mjeshtri i penës di tta përmbledhë esencën në njëzet faqe… Pra, çfarë plotësie në këtë shkurtësi. Një peizazh është i plotë në pesë ose gjashtë rreshta. Personazhet tërhiqen nga një veprim domethënës, të cilin romancieri diti ta zgjidhte duke shpërfillur pjesën tjetër… Po ashtu, ai është i thjeshtë: pa ndjeshmëri, pa fraza madhështore; një ton i lehtë, si ai i një njeriu me shoqëri të mirë, që nuk e ngre kurrë zërin. Dikush mund të imagjinojë efektin e këtij zëri të butë dhe pa theks, kur ajo rrëfen mizoritë më të këqija. Meqenëse Merime është “mizor”, ai i rrëfen qetësisht të gjitha llojet e krimeve, frikacakëve dhe veseve, historitë më të neveritshme apo më të përgjakshme; duke mos besuar as te njeriu dhe as te jeta, ai zgjedh temat, ku përbuzja e tij e akullt gjen kënaqësinë më të mirë.