“Albatrosi” – një manifest i vërtetë poetik

Marinarët, shpesh, sa për shaka

Gjuajnë albatrosë, këta shpezë të mëdha,

Bashëudhëtarë të plogësht që fluturojnë mbi det

Mbi anije që sipër greminave të njelmta shket.

 

Sapo i vendosin në kuvertë, të mundur

Këta mbretër të kaltërsisë, të ngathët e të përunjur,

Të ngjallin mëshirë me ata krahë mbërthyer

Të mëdhenj e të bardhë si rrema të thyer.

 

Ky udhëtar krahëgjatë sa është i pagjallëri!

I bukur ka qenë, tani gaz i botës, shëmti

Njëri ia ngacmon sqepin, për të qeshur me çibuk,

Tjetri e imiton, e tall, e përqesh, e ç’nuk!

 

Poeti i ngjason këtij princi të reve

S’e tremb dot stuhia, as qitësi i shpezëve;

Syrgjynosur në tokë, n’bisht të shpotisë ngeci

Krahët e tij vigane e pengojnë të eci.

Kush është albatrosi? Çfarë përfaqëson? Imazhet detare përsëriten rëndom në poezitë e Sharl Bodëlerit, fundja ishte vetë poeti francez që shprehu: “Njeri i lirë do ta duash gjithmonë detin”. E pamundur të mos mendosh për albatrosin në verë, kur flladi i detit të kujton imazhin e pastër të këtij zogu të madh, aq i ngjashëm me një pulëbardhë. Albatrosi, i famshëm nga poema e Bodëlerit, në fakt njihet si nga zogjtë më të mëdhenj të tokës, me një hapje krahësh tremetroshe në gjatësi, që e bën të zhdërvjellët në fluturim. Është një zog i rrallë, i çmuar, i vetmuar: pikërisht për këtë arsye, shpesh i jepet një kuptim simbolik i vetëm në letërsi. Bodëleri humanizon zogjtë e detit, por portreti që rezulton, simbolika e albatrosit të tij, është disi tjetërsuese dhe na jep një vizion të zymtë që mbetet brenda nesh kohë pas leximit të poezisë. Zogu i madh i detit me krahë të bardhë përfaqëson një alegori të vetë poetit, por edhe të njeriut-artist që jeton në një lloj gjendje mërgimi në shoqërinë bashkëkohore, ku kulturës, artit dhe ndjeshmërisë i kushtohet kaq pak peshë. Nuk ka asnjë arsye se pse marinarët tallen me albatrosin, duket se është një sjellje e diktuar nga mërzia dhe pakënaqësia, që na jep një pamje të qartë të ligësisë njerëzore të paraqitur në gjendjen e saj më të pastër. Albatrosi i gjorë na ngjall keqardhje, por përmes këtij imazhi poeti përfaqëson gjendjen e tij të “mërguesit në tokë”, sepse poetët, artistët, nënkupton autori mes rreshtave, i përkasin një tjetër vendi dhe, nëse detyrohen të përballen me ashpërsinë e realitetit, ata ngjasojnë krijesa të sikletshme, mediokre, të paaftë. Krahët “vigane” të albatrosit nuk janë bërë për të qëndruar të ankoruar në tokë, por për të gërmuar lirinë e pafundme të qiejve; ashtu si shpirti i poetit nuk është bërë për këtë botë që mbyt poezinë dhe ndjeshmërinë e artit. Ne jemi një shoqëri e zemëruar, e shfrenuar, e çrregullt dhe e furishme, ashtu si ekuipazhi i anijes që duket se garon në “thellësitë e hidhura” të një epoke. Aftësia për të kapur bukurinë e detajeve, mesazhi i pashprehur po ravijëzohet gjithnjë e më shumë në një botë gjithnjë e më të përkushtuar ndaj pamjes, komunikimit të shpejtë: rezultati është një shoqëri sipërfaqësore dhe e dhunshme, ku nuk ka vend për poetë. Poeti francez do të ripropozonte më pas të njëjtën alegori, në vitin 1860, me poemën “Mjellma”. Në një tjetër zog të madh me krahë, një krijesë hibride e ujit dhe tokës, Bodëleri pasqyroi zhgënjimin e dhimbshëm: imazhin e një njerëzimi tashmë të mërguar nga vetvetja, që nuk e ka për zemër njerëzimin. Në albatrosin e qesëndisur nga marinarët, në mjellmën që endet e vetme nëpër rrugët e Parisit, gjejmë atë element anormal, të ndryshëm, tjetërsues, që është vetë substanca e poezisë, sepse thyen ekranin e lëmuar të realitetit.