Zonja Staël – revolucionarja e romantizmit

Napoleoni nuk është thjesht një njeri, ai është një sistem. Kështu që ju duhet ta shihni atë si një problem të madh.

Shpesh emri i zonjës de Staël përkon me lëvizjen “Sturm und Drung”, stuhi dhe furtunë, e cila njihet si pikënisja e romantizmit. Mbi të gjitha ishte një intelektuale dhe politikane e madhe. Titulli fisnik, mbiemri i mprehtë e me zë të lartë dhe, mbi të gjitha binte në sy fakti që ishte një grua, konkretisht baroneshë, që drejtonte një nga sallonet intelektuale më të vlerësuara dhe më të dëgjuara në Paris. Ishte një shkrimtare pjellore, ndër veprat më të famshme gjejmë rrëfime të udhëtimeve të saj, ndër të cilat kujtojmë “Nga Gjermania” (1810), konsideruar kryevepra e saj, me të cilën autorja shpresonte t’i zbulonte Francës thelbin e Gjermanisë ende të mbyllur në një konservatorizëm të ngurtë: Staël e konsideronte kulturën gjermane superiore ndaj asaj franceze, e cila asokohe përfaqësonte një herezi të vërtetë. Për shkak të ideve revolucionare, ajo u detyrua në mërgim nga Napoleoni, i cili nuk e kapërdinte dot dashurinë që ajo kishte për Gjermaninë, mbi të gjitha idetë e saj liberale, si rrjedhojë bëri t’i sekuestroheshin dhe t’i shkatërroheshin të gjitha kopjet e veprës. Në esetë e saj, intelektualja e ndritur formuloi një teori interesante, sipas së cilës Revolucioni Francez nuk ishte një ngjarje e rastësishme, por ishte rezultat i krijuar nga despotizmi shekullor dhe mohimi i të drejtave dhe lirive të individëve.

Ajo ishte e para që ndjeu fillin e kuq që bashkoi Revolucionin me Terrorin Jakobin dhe diktaturën napoleonike që do pasonte. Ishte një intelektuale e rafinuar dhe një kritike e ashpër, nuk druhej të shprehte idetë e saj. Jeta e saj u ndikua fort nga tensionet politike të kohës. Ajo e quajti Napoleonin një “tiran i pamëshirshëm” dhe refuzoi kategorikisht të bashkëpunonte me të. Mendimi i ashpër për Napoleonin raportohet e zeza mbi të bardhë në esenë “Konsiderata mbi ngjarjet kryesore të Revolucionit Francez”. E gjithë kjo i dha asaj reputacionin si “gruaja më e frikësuar nga Napoleoni”, së cilës fillimisht iu censuruan veprat dhe, më vonë, u dënua me internim të paktën 150 kilometra larg Parisit. Zonja de Staël u strehua në Gjermani dhe, më pas, pas vdekjes së të atit, u zhvendos në pronën e të atit në Zvicër. Në shtëpinë zvicerane, e frekuentuar nga shkrimtarë të kalibrit të Stendalit, zonja de Staël formësoi të menduarit e Evropës moderne. Në maj 1814, kur Napoleoni ishte në mërgim në ishullin Elba, baronesha mundi të kthehej në Paris dhe të rihapte dyert e sallonit të saj të famshëm. Filloi një periudhë e turbullt dhe e ndërprerë: kur Napoleoni u kthye në Francë në 1815, Staël u largua përsëri, vetëm për t’u rikthyer. Ndërkohë shëndeti iu përkeqësua dhe, e goditur nga një sëmundje e pashërueshme, baronesha udhëtoi shpeshherë në Itali për t’iu nënshtruar trajtimeve mjekësore. Vdiq në Paris më 13 korrik 1817, një datë thuajse revolucionare.