Nelson Mandela – Ëndërrimtari që nuk u dorëzua kurrë

“Duaje ëndrrën tënde, edhe nëse të mundon” – kështu shkruante Gabriele D’Anuçio në poezinë “Maja”. Laus Vitae. Me Vitae, Nelson Mandela ndau zellin, vendosmërinë dhe këmbënguljen, me të cilën ai ndoqi ëndrrën. Një ëndërr që i kushtoi 27 vite burg, por e realizuar së fundmi në vitin 1991, me heqjen e ligjeve segregacioniste dhe rrjedhimisht fundin e aparteidit. Mandela u arrestua dhe u burgos disa herë, deri në dënimin e fundit të përjetshëm, prej nga mbetën në histori fjalët e mbrojtjes së fundit: “Kam luftuar kundër dominimit të të bardhëve dhe kam luftuar kundër dominimit të të zinjve. Ushqej idealin e një shoqërie të lirë dhe demokratike, ku të gjithë njerëzit jetojnë së bashku në harmoni dhe barazi. Ky është një ideal për të cilin jetoj dhe shpresoj ta arrij. Por, nëse është e nevojshme, është një ideal për të cilin jam gati të jap edhe jetën”. Mandela u mbyll në burgun e sigurisë maksimale në ishullin Robben, duke iu nënshtruar një regjimi çnjerëzor. Pavarësisht kushteve shumë të vështira, ai arriti të imponohej për qetësinë dhe autoritetin e tij moral. Së bashku me shokët, ai e shndërroi burgun në një universitet të improvizuar, duke studiuar dhe marrë informacion me korrespondencë. Për Mandalan “arsimimi është arma më e fuqishme që mund të përdoret për të ndryshuar botën”.

Ndërkohë, presioni i vazhdueshëm nga komuniteti ndërkombëtar, sanksionet kundër regjimit dhe revolta e townships e detyruan Pretorian që fillimisht ta transferojë Mandelën në një burg më pak të rreptë dhe, më pas, më 11 shkurt 1990, ta lirojë pas 27 vjetësh. Një vit më vonë, ëndrra e Mandelës më në fund bëhet realitet. Në fakt, ligjet segregacioniste u hoqën, duke sanksionuar zyrtarisht fundin e aparteidit. Në 1993, ai u nderua me çmimin “Nobel” për Paqe. Si President, ai punoi mbi të gjitha për paqen dhe pajtimin, nën flamurin e dëgjimit dhe faljes, duke thyer spiralen e urrejtjes dhe dhunës që përshkonte vendin. Në fund të mandatit, në vitin 1999, Mandela u tërhoq në jetën private, duke vazhduar angazhimin social përmes mbështetjes për organizatat civile dhe të të drejtave të njeriut. Pas një sëmundje të gjatë, Mandela vdiq më 5 dhjetor 2013. Vdekja e tij tronditi zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën, duke dëshmuar faktin se Mandela jo vetëm përfaqëson atin e padiskutueshëm të kombit të tij, por mishëron ëndrrën e një bote ku dashuria dhe respekti i ndërsjellë janë preludi i paqes dhe lirisë.

“Ajo që ka rëndësi në jetë nuk është fakti i thjeshtë që kemi jetuar. Është mënyra se si ne kemi bërë një ndryshim në jetën e të tjerëve, që përcakton vetë kuptimin e ekzistencës sonë”. Madiba, një emër i atribuuar nga grupi etnik Xhosa, bëri një ndryshim në jetën e miliona njerëzve. Ai arriti të kuptojë termat guxim dhe drejtësi, duke preferuar faljen në vend të hakmarrjes, dashurinë ndaj urrejtjes. Mandela është një ëndërrimtar që nuk u dorëzua kurrë. Është simboli i fitores së barazisë dhe lirisë mbi racizmin dhe shtypjen. Mandela arriti të bëhej “zot i fatit të tij, kapiten i shpirtit të tij”. Shpresoj se vlerat dhe guximi i tij do të gjejnë rrugën edhe në zemrat tona, sepse secili prej nesh, në mënyrën e tij, ka mundësinë dhe përgjegjësinë për të bërë ndryshimin dhe për ta bërë botën një vend më të mirë.