Të jesh i dashuruar sipas Anton Çehovit

“Ajo që ndjejmë kur jemi të dashuruar, ndoshta është gjendja jonë normale. Dashuria tregon se si duhet të jetë njeriu”. 

Shkrimtarët e mëdhenj hyjnë në histori për cilësinë e veprave të tyre dhe, vetëm kur janë vërtet të famshëm, publiku interesohet për jetën, pasionet, ndjenjat. Anton Çehovi ishte një nga autorët më të dashur rusë ndonjëherë. Veprat teatrale, së bashku me qindra tregimet që kanë dalë nga pena e tij, janë një enciklopedi e vërtetë e shpirtit njerëzor, por edhe një përfaqësim i përsosur i shoqërisë ruse në fund të shekullit të 19-të. Një shkrimtar jo thjesht i madh, por i jashtëzakonshëm, i pafund. Në të vërtetë, pas shfaqjes së një shoqërie konservatore dhe monarkike, gjarpëroi kalbëzimi i një bote që po evoluonte vetëtimthi, e mbushur me figura të reja shoqërore, të paaftë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Një prej temave që shënon dukshëm poetikën e Anton Çehovit është, në fakt, moskomunikimi, rrjedhimisht keqkuptimi, pra komikja. Mirëpo, shumë shpejt humorit në veprat e Çehovit i shtohet një vello trishtimi dhe personazhet e tij përfundojnë duke kuptuar dështimin e idealeve dhe aspiratave të tyre. I ndjeshëm ndaj ndryshimeve të kohës, Çehovi kishte aftësinë të kapte dhe përjetësonte atë botë të re në dramat e veta. Mes tyre kujtojmë më të famshmit si “Kopshti i qershive”, “Pulëbardha” dhe “Xha Vanja”. Lev Tolstoi e krahasoi teatrin e tij me një lloj pikture, ku penelat duket se janë vendosur në mënyrë të rastësishme, “sikur të mos kishin asnjë lidhje me njëri-tjetrin”, ndërsa, duke parë nga larg, kapet “një tablo e qartë, e padiskutueshme”.

Të biesh në dashuri si një impuls jetik

Në përpjekje për të kapur dashurinë, personazhet e Anton Çehovit shpesh përfundojnë duke e humbur atë, ata janë personazhe që duan në mënyrë gjysmake, që i shpëtojnë çiltërsisë së ndjenjës për të mbrojtur veten dhe mbeten në fund, të strehuar nga stuhia e dashurisë. Heronjtë e tij janë të nënshtruar, të turpshëm, duke u përpjekur vazhdimisht të përmbajnë vrullin jetësor që vlon brenda tyre. Por, Çehovi reflekton, duke na kujtuar se ekziston një kusht që më shumë se çdo tjetër na inkurajon të braktisim zonën tonë të rehatisë për të përjetuar plotësisht të qenit njeri: është të biesh në dashuri. Të biesh në dashuri është, në këtë kuptim, elektricitet i pastër, i aftë të na shkundë dhe të na zgjojë nga tortura në të cilën jetojmë ndryshe. Brenda çdo gruaje apo burri të dashuruar, lind spontanisht një ndjenjë kërkimi. Një etje e paprapësueshme që i shtyn të dashuruarit të eksplorojnë territore të panjohura. Të shkosh përtej kufijve kanonikë, për t’u ndier të gjallë, tepër të gjallë.

Çehovi prodhoi tregime të tilla si “Një histori e mërzitshme”, “Një gjë e vogël”, “Një fatkeqësi”, “Murg i zi”, “Njeriu në këllëf” etj, duke i paraqitur ato si të vogla, të parëndësishme dhe të harrueshme; megjithatë, që në fjalitë e para secila përcakton me shkathtësi se kush dhe ku janë personazhet kryesore, çfarë është domethënëse në jetën e tyre.