Pamela Travers, një australiane vendase, e cila kishte jetuar në Angli që në fëmijëri, në periudha të ndryshme të jetës së saj pati qenë poete, gazetare, eseiste, kritike filmi dhe teatri, kërcimtare, aktore shekspiriane dhe studiuese e folklorit dhe mitit. Mirëpo, shumë shpejt u bë e njohur me librin “Meri Popins”, që, në të vërtetë nuk ishte paramenduar për fëmijët, porse u gllabërua nga brezat e tyre prej botimit të parë në 1934. Libri, i cili është shitur në miliona kopje dhe është përkthyer në më shumë se 20 gjuhë, ka frymëzuar studime kritike, një varg vazhdimesh dhe muzikalin e filmit Walt Disney të vitit 1964, me Julie Andrews dhe Dick Van Dyke.
“Unë mendoj se ideja e Meri Popins është flladitur si thellë brenda meje, ashtu edhe jashtë meje, si perdja në dritare, gjatë gjithë jetës sime”, – shprehet Travers në 1964. Kritiku Riçard Lingeman shkroi: “Zonja Travers ka arritur të krijojë një botë të përjetshme të banuar nga njerëz të vërtetë dhe e plotë në vetvete – një botë e pavdekshme që thirret në ekzistencë, e pandryshuar sa herë që hapet një libër”.
Gjatë gjithë jetës së saj prej shkrimtareje, zonja Travers ruajti aftësinë e jashtëzakonshme për të shfrytëzuar ankthin privat, dëshpërues të fëmijërisë dhe shpesh thoshte se e shihte kalimin nga fëmijëria në moshën madhore si një fije e vetme e pandërprerë. “Idetë që kisha atëherë lëvizin tek unë tani”, – tha ajo dikur, duke shtuar diku tjetër se “dhimbja qëndron si një rrahje zemre pas gjithçkaje që kam shkruar”.