Spiunet që ndihmuan në fitoren e Luftës së Dytë Botërore

Fitoret në Luftën e Dytë Botërore nuk u arritën vetëm nga burrat. Një sërë grash të guximshme u infiltruan si spiune dhe operative në agjencitë e inteligjencës anembanë botës, duke rrezikuar jetën e tyre për të marrë informacione të fshehta, që ndikuan në rezultatin e luftës. Ishte punë e rrezikshme me kërcënime reale nëse zbuloheshin, përfshi torturimet, mbylljen në kampet e përqendrimit, madje edhe vdekjen. Megjithatë, gratë këmbëngulën, duke besuar se fitorja e Aleatëve ishte e vetmja mundësi.  Në vijim disa nga spiunet më të famshme të Luftës së Dytë Botërore që dhanë gjithçka.
Zhozefin Beker (Josephine Baker)

Në vitet 1930, ndërsa në Shtetet e Bashkuara u përshkallëzua ndarja racore, afrikano-amerikania Zhozefin Beker shkëlqeu në Paris si argëtuese, kërcimtare dhe këngëtare. Ajo fluturoi mes qarqeve shoqërore, fakt i vënë në dukje nga kapiteni Zhak Abtei, oficer i inteligjencës për shërbimin sekret francez. Dy vjet pasi ajo mori nënshtetësinë franceze dhe ndërsa lufta po afrohej, ai iu afrua Bekerit në vitin 1939, duke i kërkuar të mblidhte informacione për francezët. Pavarësisht rrezikut, ajo qe e gatshme të bashkëpunonte. “Franca më bëri kjo që jam”, – tha. “Qytetarët e Parisit më kanë dhënë gjithçka… Unë jam gati t’u jap atyre jetën time”. Beker merrte pjesë në festat diplomatike në ambasadat italiane dhe franceze, duke vjelë informacione nga agjentë të Boshtit ose tradhtarë francezë. Kur trupat gjermane pushtuan Parisin në vitin 1940, ajo u largua zonën e Vishisë në Francën jugore, ku, nën maskën e shfaqjeve, vijoi të punonte në fshehtësi me Abtein për rezistencën. Në fillim të vitit 1941, ata u zhvendosën në pjesën franceze të Afrikës së Veriut. Nga atje, ajo kontrabandoi dokumente, përfshi foto fshehur nën veshje dhe mesazhe shkruar me bojë transparente në fletë muzikore për agjentët e Lisbonës, që punonin për grupin e rezistencës “Franca e Lirë”, drejtuar nga gjenerali Sharl de Gol. Për shërbimin gjatë luftës, Beker u nderua nga francezët me Legjionin e Nderit dhe Kryqin e Luftës. Në nëntor 2021, ajo u bë gruaja e parë me ngjyrë që u fut në Panteonin Francez.

Noor Inayat Khan

E sinqertë dhe fjalëpake, pasardhëse e familjes mbretërore indiane që praktikonte jodhunën, Noor Inayat Khan ishte një muzikante profesionsite dhe autore tregimesh për fëmijë, e cila u rrit në Angli dhe Francë. U largua nga pushtimi gjerman i Francës, në vitin 1940, dhe u vendos me nënën e ve, të lindur në Amerikë, në Londër, ku u trajnua si operatore për radio me valë. Aftësitë teknike dhe frëngjishtja e rrjedhshme e sollën atë në vëmendjen e Vera Atkins, e cila mbikëqyrte agjentet femra për Seksionin F – seksioni francez i Ekzekutimit të Operacioneve Speciale të Britanisë (SOE), krijuar nga kryeministri Uinston Çërçilli për të depërtuar në territorin e pushtuar nga gjermanët dhe “vuri Evropa në flakë”. Atkins e dërgoi Khan në Francë për t’i shpëtuar arrestimit, duke lëvizur nga një strehë në tjetrën. Deri në shtator 1943, ajo ishte operatori i fundit i SOE, që ende transmetonte në Londër nga Parisi. Së fundmi, Khan u tradhtua nga dikush që ishte në dijeni për operacionin e saj. E kapur në tetor, ajo u mor në pyetje brutalisht dhe u përpoq të arratisej. Sprova e saj përfundoi në Dachau, një kamp përqendrimi ku edhe u ekzekutua në shtator 1944. Teksa xhelati i shtypte armën në pjesën e pasme të kokës, thuhet se fjala e saj e fundit ishte “Liri”.

Zhozefina Gerrero (Josefina Guerrero)

Pak para se japonezët të pushtonin Filipinet në 1942, Zhozefina Gerreron e zuri sëmundja e Hansenit (e njohur si lebra). I shoqi e la menjëherë dhe ajo u largua nga vajza e tyre e vogël. Ndërsa mjekimet u pakësuan dhe gjendja e Gerreros u përkeqësua, ajo vendosi të rrezikonte dhe të bëhej spiune e rezistencës filipinase. Japonezët, të njohur për kontrollet e imta trupore, nuk e kontrolluan teksa kalonte nëpër postblloqe për shkak të sëmundjes, gjë që e lejoi atë të transmetonte mesazhe sekrete, lëvizje të trupave armike, furnizime jetike, madje edhe armë për rezistencën dhe ushtarët. Po ashtu, hartoi fortifikimet japoneze dhe vendosjet e armëve, të përdorura nga amerikanët më 21 shtator 1944, për të shkatërruar mbrojtjen japoneze në portin e Manilës, e domosdoshme për rimarrjen e kryeqytetit. Pas luftës, Gerrero u mbyll në një spital lebrozësh; një ekspoze, që ajo i shkroi një miku amerikan tregonte kushtet e tmerrshme. Në vitin 1948, falë raportit të saj, qeveria punoi për të përmirësuar kushtet në spitalin për lebrozët. Në fund, Gerrero u pranua në SHBA për t’iu nënshtruar një trajtimi të ri. Ajo ishte e huaja e parë me sëmundjen e Hansen, që iu dha një vizë për në SHBA. Puna e saj kontribuoi shumë në destigmatizimin e lebrës.

Anjezë Mejer Driskoll (Agnes Meyer Driscoll)

Në analet e kriptologjisë, përmendet jo pak për një nga kriptanalistët më të mëdhenj në botë. Anjezë Mejer Driskoll, diplomuar në Universitetin Shtetëror të Ohajos, ku studioi matematikë, muzikë, fizikë dhe gjuhë të huaja, u regjistrua në Marinën e SHBA-së në vitin 1918, gjatë Luftës së Parë Botërore si kryetare, grada më e lartë e mundshme për një grua të asaj epoke. Vazhdoi të punojë me Marinën edhe pas luftës, duke ndihmuar në zhvillimin e kodeve, shifrave dhe sinjaleve operative. Ndërsa Lufta e Dytë Botërore po afrohej, Driskoll zgjidhi kodin e nivelit të lartë JN-25, të përdorur nga komunikatat më sekrete të marinës japoneze. Megjithëse nuk ishte plotësisht i shfrytëzueshëm në kohën e sulmit japonez në “Pearl Harbor”, në dhjetor 1941, ajo u përdor për të dhënë paralajmërime paraprake për sulmet e ardhshme japoneze, duke përfshirë “Midway Island” në qershor 1942. E njohur si “Miss Aggie” dhe “Zonja X”, ajo mbeti një drejtuese e kriptanalizës për US deri në vitin 1949, për t’iu bashkuar edhe shumë kriptanalistë të tjerë, deri sa u tërhoq në vitin 1959. Në 2000, Driskoll u fut në Sallën e Nderit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Andre de Jong (Andrée de Jongh)

E mbiquajtur Postieri, Andre “Dede” de Jong udhëhoqi Linjën e Kometave (Rrjetin e Kometave), një rrjet sekret në Belgjikën dhe Francën e pushtuar, që i shpinte në siguri ushtarët dhe avionët aleatë që ishin qëlluar në territorin armik. Së bashku me rrjetin u siguronin veshje civile dhe mjete identifikimi false, më pas i çonin në shtëpi të sigurta dhe përtej kufirit franko-spanjoll në Pirene. Atje, zyrtarët konsullorë britanikë merrnin përgjegjësinë dhe i evakuuonin nëpërmjet Gjibraltarit. Linja e Kometës shpëtoi 800 ushtarakë aleatë, me de Jong që drejtonte personalisht dhjetëra udhëtime në këmbë. Një aviator britanik, që ajo ndihmoi, e përshkroi atë si një “vajzë e re e brishtë që duket njëzet vjeç, shumë e bukur, e këndshme, e sjellshme, e gëzuar dhe e thjeshtë”. Përfundimisht, nazistët e kapën, duke e dërguar në disa kampe përqendrimi, përfshirë Ravensbrukun famëkeq. Ndonëse u mor 21 herë në pyetje, ajo refuzoi të zbulonte emrat e shokëve udhëheqës të rezistencës ose të tradhtonte ndonjë nga shokët e saj, përfshi edhe të atin, i cili gjithashtu ishte i dyshuar. Babai i saj u ekzekutua, por ajo mbijetoi, vetëm sepse nazistët e nënvlerësuan rëndësinë e kësaj gruaje të re trupvogël.