“E bukura do të shpëtojë botën”… me këto pak fjalë, Dostojevski tregon se ka ditur të gjejë, edhe pse në një ekzistencë të mbushur me andrralla dhe huamarrje, optimizmin e nevojshëm për të krijuar një vepër të admirueshme. Dostojevski nuk ka nevojë për parathënie, i shkroi kryeveprat nisur nga këndvështrimi i personazhit për të eksploruar aspektet metafizike të mjerimit, zemërthyerjes dhe padrejtësisë. Autori i “Sozia”, “Një zemër e dobët”, “Pollzunkovi” etj., parashikoi epokën e dhunës globale dhe u bë një nga zërat më të rëndësishëm të kulturës ruse. Ajo çfarë i intereson më së shumti romancierit të ekstremeve, janë pyetjet gjithëpërfshirëse dhe themelore si ekzistenca e Zotit, domethënia e jetës, bazat morale e veprimeve tona, legjitimiteti ose justifikimi i krimit, absolutja e të mirës dhe të keqes, skandali i vuajtjes së fëmijëve, absurditeti i botës etj. Dostojevskin nuk e lexojmë për t’u zbavitur apo për të kaluar kohën…
E lexojmë për të zbuluar dhe për të kuptuar më mirë forcat e errëta dhe të papohueshme, që gjallojnë në skutat më të errëta të shpirtit tonë. E lexojmë për të parë kapërcimin e dëshirës njerëzore, që e shtyn çdo individ ta kërkojë plotësinë e qenies me të gjitha mjetet e mundshme, ndonjëherë duke e çuar atë në prag të katastrofës dhe rrëmujës. Ne duhet të bëhemi trashëgimtarë të pasurisë së reflektimit të tij mbi rreziqet, kërcënimet dhe fatkeqësitë që na përgjojnë, por edhe mbi pafajësinë, bukurinë dhe madhështinë e ekzistencës. Të lexosh Dostojevskin është një përvojë e paharrueshme: një eksperiencë që konsiston në pranimin për të zbritur në honet e trazuara të psikikës njerëzore, për të dalë më pas me idenë se si mund të duket iluminizmi ekzistencial. I etur për të vërtetën, atij nuk i duhet të bëjë zgjedhje. Bota mbetet një luginë lotësh dhe individi, i vetëdijshëm për veçantinë e tij, pyet veten se ç’rol duhet të marrë për të justifikuar ekzistencën.
Është kjo zbritje në thellësitë e vetëdijes, që magjeps lexuesit modernë, sepse, nëse nuk jep përgjigje, mjeshtri i fjalës ka aftësinë që të pyesë pareshtur veten dhe t’u shkojë deri në fund të gjitha kontradiktave. Krijimtaria e tij është njëherazi edhe dëshmia e një njeriu që diti t’i kapërcejë fatkeqësitë dhe t’i kthejë në art.