Quhet shpirt i lirë, ai që mendon ndryshe nga sa, sipas origjinës, mjedisit, statusit dhe detyrës së tij, ose sipas opinioneve mbizotëruese të kohës, do të pritej që ai të mendonte. Ai është përjashtim, shpirtrat e ndrydhur janë normë; këta të fundit e qortojnë, se parimet e tij të lira burojnë nga dëshira që ai ka për t’u dukur, apo edhe se sugjerojnë veprime të lira, pra veprime që nuk përputhen me moralin me të cilin kanë të bëjnë.
Gjithashtu, nganjëherë thuhet se këto ose ato parime të lira duhet t’i atribuohen të pazakonshmes ose ekzaltimit të mendjes. Mirëpo, kështu flet vetëm një shpirtligësi, e cila – edhe ajo vetë – nuk e beson atë që thotë, por me këtë gjë do të donte të lëndonte. Në fakt, dëshmia e mirësisë dhe mprehtësisë më të madhe të intelektit të tij zakonisht shkruhet në fytyrën e shpirtit të lirë dhe me shkronja aq të qarta, saqë shpirtrat e ndrydhur e kuptojnë shumë mirë. Por dy mënyrat e tjera për të shpjeguar origjinën e mendimit të lirë nënkuptohen me ndershmëri. Në të vërtetë, në një mënyrë apo në tjetrën janë të shumtë shpirtrat e lirë që formohen. Gjithsesi, përfundimet në të cilat ata kanë arritur përmes aksh rrugëve, mund të jenë, pikërisht për këtë arsye, më të vërteta dhe më të besueshme, se ato të shpirtrave të ndrydhur.
Në njohjen e së vërtetës, ajo që ka rëndësi është se njeriu e zotëron atë jo me çfarë impulsi e ka kërkuar apo me çfarë rruge e ka gjetur. Dhe nëse shpirtrat e lirë kanë të drejtë, atëherë shpirtrat e ndrydhur gabojnë, nuk ka rëndësi nëse të parët kanë arritur tek e vërteta nga imoraliteti dhe të dytët deri tani i janë përmbajtur të pavërtetës për shkak të moralit. Nga ana tjetër, nuk i përket thelbit të shpirtit të lirë, që ai ka mendime më të drejta, por është shkëputur nga tradita, qoftë me sukses, qoftë me dështim. Megjithatë, zakonisht ai do të ketë në krah të vërtetën ose të paktën frymën e kërkimit të së vërtetës: ai kërkon arsye, të tjerët besim.