Të shkruash vdekjen. Vdekjen që gjithsecili e ruan në brendësi të tij, vdekja që vjen nga skuta më e fshehtë, fruti i helmatisur që zëmë e shijojmë ditë pas dite, urdhri suprem, maska, profetikja, që na telendis në frikë dhe keqardhje. Në të gjallë, Rilke shkroi dhe e jetoi vdekjen çdo ditë, i bindur për puqjen e dy mbretërive, pasi jeta, ashtu si hëna, ka një fytyrë përherë të padukshme, që nuk bie në kontrast me tjetrën, të dukshmen, por përmbush përjetimin, në atë yllësi krejt të paprekur që është Qenia (“Letra mbi vdekjen”). Pra, vdekja, për poetin është një fytyrë filigrani, një tablo e plotë e të padukshmes. Në këtë kuptim, që më së shumti i shpëton terrorit të disfatës, Rilke, në rrugëtimin e jetës, ndjek mbretërinë e perëndimit, përpiqet të kodifikojë dhe të përvijojë fytyrën e tij, duke dëbuar sentimentalizmin dhe emërtimet fetare. […] Në evokimin metafizik të një universi të fshehtë dhe të mishëruar, Rilke nuk i referohet vizionit të krishterë të përtejmes dhe të vdekjes; në të vërtetë, ai distancohet gjithnjë e më shumë prej saj, për shkak të rrezikut që, në prani të humbjes së të dashurit, ky i fundit mund të zërë një vend të pakapshëm dhe perceptohet si më pak konkret se sa është në të vërtetë, duke rezultuar, në fund të fundit, pothuajse i paarritshëm.
Për poetin, koncepti katolik i botës së përtejme gjeneron një dëshirë që na largon nga hic et nunc, nga tokësorja, ndaj së cilës, gjithsesi, duhet të qëndrojmë të ankoruar derisa të na jepet të jemi këtu, të gjallë dhe të lidhur me gjithçka. Prandaj, për të përballuar vdekjen duhet të jetojmë dhe ta bëjmë atë në mënyrë autentike, duke i emërtuar gjërat në tërësinë e tyre, duke përfshirë në udhëtimin tonë çdo përvojë me gjithë dendësinë e saj, pasi ekzistenca e pastër në hic et nunc është pjesë e atij universi të gjerë që poeti përcakton si e padukshme, e Shfaqura. Rilke vetë i frikësohet humbjes së njerëzve të dashur dhe, siç i rrëfen konteshës Sizzo-Noris-Crouy, fëmijë, ai i frikësohej vdekjes së babait, madje thjesht ideja e bënte t’i binte të fikët. Megjithatë, kjo frikë nuk e pengoi të pranonte dhe të kuptonte mrekullinë e fatit të tij: të hetonte vdekjen si një aleat kërkues i përmbushjes së Qenies dhe të bëhej vetë Orfeu që në Sonete nxit për të depërtuar dhe për të dalë nga metamorfoza.
“Nuk duhet të kemi frikë, se nuk jemi aq të fortë sa të durojmë përvojën e vdekjes, qoftë edhe më intime, më e tmerrshme. Vdekja nuk është përtej fuqive tona, ajo mbetet më e thella nga prerjet e gdhendura në anë të enës. […] Nuk dua të them se duhet ta duam vdekjen. Përkundrazi, ne duhet ta duam bujarisht jetën, pa bërë vlerësime apo zgjedhje, pa përjashtuar vdekjen (kjo gjysmë jete e padukshme për ne). Madje, mund të mendohet se është pafundësisht më afër se vetë jeta… Çfarë dimë për të?! [omissis…]…sforcoja jonë, besoj, mund të ketë vetëm një qëllim: të na bëjë të pranojmë dhe të supozojmë unitetin e jetës dhe vdekjes dhe, mbi të gjitha, të bindemi për të”.
Shkurt, është e nevojshme të eksplorojmë errësirën, themelin e errët mbi të cilin qëndron Shpirti, i cili na zgjon dhe na zhyt sa herë që tejkalohet kufiri i hic et nunc, kur ndihemi, në të njëjtën kohë, të gjallë dhe të vdekur. Në fund të fundit, është e nevojshme të kemi besim tek e tmerrshmja, të zhytemi tek ajo pa iu frikësuar pushtimit të saj, sepse, herët a vonë, ajo do të na zbulojë diçka, duke na bërë protagonistë të një lloj inicimi; në fund të fundit, vdekja “është vetëm mjeti i paepur që na lejon të familjarizojmë veten me pjesën e panjohur të ekzistencës sonë dhe të na lejojë të hyjmë në intimitetin e saj”. Të ndalosh vdekjen, të largohesh prej saj, ta dëbosh atë nga mendimet dhe nga estetika e të jetuarit, do të thotë të dorëzohesh për ta pasur pranë vetes si një prani të panjohur, pa formë në errësirën e pavetëdijes dhe, për rrjedhojë, të frikshme. Për poetin vdekja është një mundësi e pazëvendësueshme, një dhimbje që nuk duhet të hapërdahet, por të shfrytëzohet, të bëhet për vete, të përzihet me gjak, për të cenuar përmbushjen për të cilën jemi të destinuar nga fati. Të mësosh të vdesësh pa frikë çdo ditë parakupton që njeriu të jetojë hic et nunc pa hezitim, në tension të vazhdueshëm drejt të Dukshmes, me vetëdijen për pashprehshmërinë e saj, por të hapur ndaj hapësirës së brendshme të botës, në të cilën intimiteti i gjithçkaje rrjedh në një shkëmbim të pandalshëm, të lirë, që nuk priret drejt shkrirjes, por drejt afirmimit të forcës së pastër të së papërcaktuarës. Rilke e refuzon vdekjen e atyre që duam, si një jetë që kalon në një jetë tjetër, në mënyrë që kjo e fundit të përmbushë fatin më fisnik të të parit, që tani është zhdukur, një fat që është dashuri, dashuri që nuk nënshtrohet më nga keqkuptimi i imanentes, por që banon brenda nesh, e dëlirë dhe e rilindur, refuzuese ndaj keqkuptimeve, e palëvizshme dhe e pandryshueshme, në fund të fundit, absolute, si hapësira e pafundme e jetës.