Forugh Farrokhzad – “poetesha e mëkatit”

Poeti është qenia që nuk ambientohet kurrë absolutisht me kompromiset e botës, me kurthet e kontingjentit. Poetët janë dëshmitarë të së padukshmes, që na flasin për një realitet “tjetër” dhe rrezatojnë dritën e tyre si yje të drobitur, të cilët, edhe pse të dobësuar, vijojnë të shkëlqejnë diçka nga ndriçimi i tyre. Poeti i “diplomuar” vetvetiu resht së qeni poet, sepse institucionalizohet: poeti është përherë një qenie e përhumbur, në parehati me botën që e rrethon, me të cilën e ka vështirë të pajtohet vërtet. Shpesh, çmenduria është shoqëruesja dhe shërbyesja e poetit, nga Torkuato Taso te Alda Merini, madje edhe tek poeti që simbolizon ndoshta më së miri modernitetin, Artur Rëmbo. Forugh donte t’i shpëtonte kategorisë së poetit: ajo e konsideronte aspektin femëror si të natyrshëm, por, për sa i përket meritave të artit, ajo argumenton se gjinia nuk kishte rëndësi. “E rëndësishme është intelekti, nuk ka rëndësi nëse është burrë apo grua. Kur një poezi arrin këtë pjekuri, nuk ka rëndësi kush e ka shkruar; i përket botës së poezisë, ka vlerën dhe efektin e vet që shkon përtej poetit”.

Poetja vdiq në një aksident automobilistik, në moshën vetëm 32-vjeçare, në vitin 1967, në Teheran. Një figurë jashtëzakonisht komplekse dhe eklektike. Forugh është në njëfarë kuptimi antiEmili Dikinson, thellësisht kundër izolimit në dhomë për të rrëmuar në gjendjen e brendshme shpirtërore. Përkundrazi, ajo argumenton nevojën për të rizbuluar botën e brendshme pikërisht jashtë nesh, duke u zhytur në magmën e njerëzve dhe të jetës, pasi poezia lind nga jeta. “Gjithë qenia ime është një këngë”: vargjet janë një shpërthim i lirizmit të pastër, një distilim i ndjeshmërisë së dëlirë dhe të mprehtë, që e vendos atë në mesin e poetëve të mëdhenj të shekullit, ashtu si letrat e saj të mrekullueshme të dashurisë renditen ndër majat e këtij lloji në letërsinë e çdo kohe dhe kombi. Delli i saj lirik është sensual, edhe pse vazhdimisht priret drejt një fryme paniku, mes hutimit dashuror dhe tenjës ngulmuese të vdekjes. Një çast, ajo e përkufizon veten si “poeteshë e mëkatit” dhe “e burgosur e shqisave”: përvojat trupore, trazirat e ndjesive janë vazhdimësia e lirikës së saj, por ato shpërfytyrohen përherë në zbërthimin e një aspirate superiore, që e ngre përtej suazës së mishit dhe shqisave dhe, në të vërtetë, përtej horizontit shumë të lehtë të protestës së pastër dhe revoltës së pastër.

“Doja të lindja në një pyll dhe të bashkohesha me natyrën”. E lindur në kontingjent, arti ngrihet mbi kontingjentin dhe, kur arrin lartësi të caktuara, i shpëton përfundimisht përkohshmërisë, bëhet i pakohshëm, sepse ka arritur një absolut dhe, më pas, e mat veten vetëm me kohën e Zotit. Përparimi në art është një iluzion i mjegullt, që errëson vështrimin e atyre që kënaqen me veprën, një vello e Majas që i pengon poetët të shihen në përsosmërinë dhe në individualitetin e tyre të pakalueshëm.

Mëkatova një mëkat të mbushur me kënaqësi

Në një përqafim të ngrohtë e të zjarrtë

Mëkatova në krahë

Që ishin të nxehtë, të etur për hakmarrje dhe të fortë.