Një pyetje që zbërthehen shumë të tjera, duke e paraqitur veten si një himn fisnik i veprimtarisë së leximit.
Duke iu adresuar receptorit hipotetik – atij që do t’i lexojë vargjet e tij ndoshta pas njëqind vjetësh, Tagore formulon një himn të shkëlqyer poetik që deklaron pavdekësinë e fjalës së shkruar. Sepse e shkruara mbetet, por mund të vazhdojë të ekzistojë vetëm për aq kohë sa dikush mund ta lexojë, ta deshifrojë dhe, si rrjedhojë, t’i japë jetë.
Rabindranath Tagore ishte i pari joperëndimor që mori çmimin “Nobel” në letërsi në 1913 për “ndjeshmërinë e thellë, freskinë dhe bukurinë e vargjeve”. “Kush je ti lexues?” është shkëputur nga “Kopshtari” (1913), një përmbledhje me poezi, që na mësojnë të ndalojmë dhe të sodisim çdo gjë të vogël që nuk i japim rëndësi dhe të reflektojmë mbi natyrën e jashtëzakonshme të momentit kalimtar që ne e quajmë jetë.
Tagore i drejtohet gjithsecilit prej nesh, me tonin prekës të dikujt që e di se koha e harresës një ditë do të kalojë edhe tek personi i tij, por jo tek veprat e tij. Poeti do të vdesë, trupi do shndërrohet në pluhur e hi, megjithatë fjalët do të vazhdojnë të jetojnë dhe do të lulëzojnë në mendjet e atyre që i lexojnë si sytha që sapo kanë lulëzuar në një mëngjes të largët pranvere.
Pra, kush është lexuesi? Sipas Rabindranath Tagore, në poezinë melankolike, është ai që ende ndjen aromën e burimeve të harxhuara, duke mbledhur frutat që nuk janë tharë me kalimin e kohës.
Kush je ti lexues?
Kush je ti lexues, që do t’i lexosh poezitë e mia
pas njëqind vjetësh?
Unë s’mund të të dërgoj qoftë edhe një lule të vetme
nga kjo pranverë e pasur,
as të të japë qoftë edhe një rreze praruar nga retë
që ecejakin mbi mua.
Hap derën e shiko përreth,
Në kopshtin tënd të lulëzuar,
mblidh kujtimet erëmira,
të luleve që lulëzuan njëqind vjet më parë.
Në harenë e zemrës sate dëgjo
endjen e gjallë që këndoj, në një mëngjes pranvere,
duke dërguar zërin e tij të lumtur, për njëqind vjet.
Fjala e Tagores është e mbushur me ndjeshmëri. Fjalët bëhen të prekshme, marrin jetë, nuk janë më shenja abstrakte në letër, por bëhen lule me një aromë kundërmuese, të afta të na dehin me erëmimin e tyre.
Pyetja fillestare që hap poezinë “Kush je ti lexues?” bëhet një mundësi për të hapur shumë pyetje të tjera të shtruara në mënyrë indirekte. E para, në realitet, është e vetmja pyetje që ka një përgjigje të caktuar, sepse ne jemi lexuesit, pikërisht ne që tani po i lexojmë fjalët saktësisht një shekull pasi janë shkruar. Megjithatë, thelbi i fjalëve të shkruara mbetet një mister, i aftë për të shkuar përtej epokave, vendeve dhe dimensioneve, duke na rikthyer të paprekur përshtypjen e një momenti dhe shkëlqimin e paepur të një mendjeje.
Si lexues jemi të pajisur me një privilegj të jashtëzakonshëm, ne mund të pimë nga burimi i një urtësie mijëravjeçare duke jetuar epoka të largëta, duke përjetuar ekzistenca të ndryshme dhe një mori ndjenjash që na përshkojnë faqe pas faqeje.
Lexojmë fjalët e Tagores dhe ripërjetojmë pranverën e tij të përjetshme, ndjejmë rrahjet pulsuese të zemrës së një jete që rreh në unison me tonën. Për të shprehur trashëgiminë e përjetshme të leximit, Rabindranath Tagore përdor një metaforë të përsosur: ai na flet për pranverën, stinën e rilindjes.
Në fund të fundit, kur lexojmë rilindemi për një moment në një jetë tjetër, duke përjetuar atë që nuk na takon dhe, gjithsesi, për kohën e shkurtër të faqeve, bëhet absolutisht e jona. Kur lexojmë kemi mundësinë ta shikojmë botën me sytë e një tjetri, aq thellë sa të ndjejmë mendimet e tyre.
Është një privilegj i rrallë që Tagore na e kthen përmes imazhit të një pranvere që evoluon përjetësisht.
Kush je ti lexues? – pyet poeti, duke iu drejtuar veçantisë unike dhe të papërsëritshme të individit, por ndoshta thellë brenda vetes se ai po i drejtohej një rryme të paepur jetësh të quajtur Njerëzimi.